Kosova

VV beson se i ka votat që Vjosa Osmani të bëhet presidente e Kosovës

Kusari-Lila ka thënë se Osmani do bëhet presidente në momentin kur konfirmohet me 80 vota në Kuvendin e Kosovës

Ushtruesja e detyrës së kryetares së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se para votimit të presidentit do të hidhet në lexim të parë amandamentimi i Ligjit për zgjedhjet.

Kjo, sipas saj, do të bëhet me procedurë të përshpejtuar. Ndërkaq lidhur me zgjedhjen e presidentit ka bërë të ditur se kjo varet nga prezenca e deputetëve në Kuvend.

Kusari-Lila ka deklaruar se votimi i Vjosa Osmanit si presidente e vendit do të bëhet si respektim i vullnetit të qytetarëve, jo si rrjedhojë e pazareve politike, raportojnë mediat vendore, përcjell albinfo.ch.

Kusari-Lila ka thënë se Osmani do të bëhet presidente në momentin kur konfirmohet me 80 vota në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka thënë se seanca e Kryesisë së Kuvendit për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet është pika e vetme e rendit të ditës, varësisht nga afatet kohore që do procedohet me zgjedhjen e presidentit.

“Nëse përfundon brenda pak orësh ajo për nismën legjislative varësisht nga vullneti i deputetëve për të qëndruar në sallë do të procesojmë edhe me zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ajo.

Kusari nuk ka treguar nëse kanë konfirmimin prej LDK-së se do të qëndrojë në sallë pas përfundimit të seancës për nismën legjislative.