Kosova
Gjermania dhe Franca i kërkojnë LDK-së të rishqyrtojë mocionin ndaj qeverisë
Gjermania dhe Franca kanë kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës të rishqyrtojë vendimin për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë dhe të ndihmojë ekzekutivin e vendit të përballet me kriza.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christin Heldt, ka njoftuar se së bashku me zyrtarët francezë i kanë nisur një notë proteste zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti që të kërkojë nga lideri i partisë së tij të qëndrojë në qeveri.
“Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës i kanë nisur kërkesë të përbashkët zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti që të njoftojë kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, mbi shqetësimet e dy shteteve tona që të qëndrojë në krah me popullin e Kosovës në këtë krizë. E ftojmë LDK-në të rishqyrtojë vendimin për mocionin e mosbesimit dhe të mbajë qeveri të besueshme dhe të qëndrueshme për t’u përballur me sfidat”, shkruan ambasadori Heldt në një postim në Twitter.
Ambassador Christian Heldt
✔
@GermanAmbKOS
????Ambassadors joint demarche to DepPM @Avdullah Hoti stepping in for chairman @IsaMustafaKS to voice concerns of both capitals. ???? stay at the side of #Kosovo people in crisis. Invite #LDK to reconsider no-confidence vote & maintain trusted and stable gov to face challenges.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur të martën, ku është shqyrtuar kërkesa e LDK-së dhe deputetëve opozitarë për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se deputetët duhet të vendosin për mocionin ndaj qeverisë. Ajo u bëri thirrje deputetëve që të mos e përkrahin mocionin në këto rrethana, kur COVID-19 po paraqet kërcënim për jetën e qytetarëve.
“U takon deputetëve të Kuvendi të Kosovës që të vendosin lidhur me mocioni e mosbesimit”, tha Osmani.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se me 4 vota për dhe 2 kundër, është caktuar seanca për nesër, përkundër thirrjeve ndërkombëtare që ajo të shtyhet për shkak të pandemisë së COVID-19.
Para se të kumtohej vendimi i Kryesisë së Kuvendit, vendet e Quint-it dhe Bashkimi Evropian u bën thirrje partive dhe liderëve të Kosovës që t’i lënë anash mosmarrëveshjet dhe të bëhen bashkë për të luftuar kërcënimin aktual në mbarë botën, COVID-19.
LDK-ja dhe opozita, të vendosura ta votojnë mocionin për rrëzimin e qeverisë
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një deklaratë të përbashkët kërkuan që “në momentin e vështirë si ky, u bëjmë thirrje të gjithë liderëve institucionalë dhe politikë që të përqendrohen në COVID-19, duke respektuar dispozitat kushtetuese dhe autoritetin që u është besuar atyre përmes Kushtetutës”.
“Në këtë moment kritik, i nxisim ata të ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe t’i japin përparësi luftës kundër COVID-19 në Kosovë e jo politikës, duke ju kujtuar se vendet tona kanë marrë të gjitha masat të jashtëzakonshme në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave të vendeve të Quint-it.
Edhe Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të gjitha institucionet të punojnë së bashku në harmoni me Kushtetutën.
“BE-ja qëndron bashkë me Kosovën në luftën kundër COVID-19. Në këtë kohë të vështirë dhe sfiduese, populli i Kosovës ka nevojë për udhëzime të qarta dhe siguri se do të ndërmerren të gjitha masat e mundshme për t’i zbutur efektet e pandemisë. I bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve të institucioneve që të punojnë së bashku, (në respektim të plotë të Kushtetutës së Kosovës) dhe ta drejtojnë tërë energjinë dhe mundin e tyre drejt luftimit të pandemisë dhe ofrimit të sigurisë për popullin e Kosovës. Nuk është koha për antagonizma politikë ose institucionalë, por për unitet politik”, thuhet në deklaratën e BE-së.
LDK me mocion për rrëzimin e Qeverisë, Kurti për vazhdimin e partneritetit
Qeveria e Kosovës ka pësuar luhatje, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë lindur ndërmjet dy partive partnere të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përplasjet mes tyre kulmuan me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për shkarkimin e Agim Veliut nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo e fundit, inicioi më pas mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, duke i siguruar nënshkrimet nga deputetët e opozitës.
Kriza qeveritare, për shkak të mospajtimeve ndërmjet dy partive të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, po vjen në kohën kur e gjithë bota, përfshirë edhe Kosova, po ballafaqohet me luftën kundër koronavirusit të ri. Gjendja është treguar alarmante, andaj edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur gjendje pandemie.
E-Diaspora
-
Austri
Pranvera Berisha doktoron në Austri me hulumtim inovativ në gjenetikë dhe inteligjencë artificiale Shqiptarja përfundoi doktoraturën në Universitetin BOKU, duke kombinuar gjenetikën, inteligjencën artificiale dhe analizën e të dhënave... -
Shqiptarja Elona Latifi finaliste e çmimit prestigjioz të BBC-së në Britani -
Sot, dita e parë e “Verës Poetike të Diasporës” në Prishtinë -
Begaj: Alpet Shqiptare janë urë që bashkon shqiptarët me rrënjët dhe identitetin -
Katër vëllezërit Popova – një histori suksesi që vazhdon prej 27 vitesh
Jeta në Austri
-
Austri
Pranvera Berisha doktoron në Austri me hulumtim inovativ në gjenetikë dhe inteligjencë artificiale Shqiptarja përfundoi doktoraturën në Universitetin BOKU, duke kombinuar gjenetikën, inteligjencën artificiale dhe analizën e të dhënave... -
Fluturimi Graz-Vjenë ka gjasa të anulohet -
Rreth 3.6 milionë austriakë duhet të ndërrojnë patentë shoferët -
48,000 fëmijë austriakë do të marrin nga 150 euro për pajisje shkollore -
Shqiptarja Esmeralda Kazia shpallet “Cybersecurity Woman of the World 2026”











