Bëhet fjalë për Bullgarinë, ku tashmë nuk është e nevojshme leja e drejtimit ndërkombëtare. Lajmin e bën me dije drejtori i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, i cili njofton gjithashtu se për konvertimin e patentës tashmë nuk nevojitet as testi praktik e teorik.
Sipas drejtorit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, qytetarët shqiptarë me leje qëndrimi në Bullgari mund të përdorin patentat shqiptare, ndërsa shtetasit shqiptar mund të udhëtojnë në Bullgari me patentat shqiptare, pa e pasur më të nevojshme lejen e drejtimit ndërkombëtare.
“Tjetër lajm i mirë! Sipas Konventës së Vjenës, të ratifikuar nga Shqipëria dhe Bullgaria, shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë në Bullgari me leje drejtimi shqiptare! Jo më e nevojshme leja e drejtimit ndërkombëtare! Për rastin e konvertimit, mundësohet pa test praktik e teorik!”, njofton Gonxhe në rrjetet sociale.
Lejet e drejtimit shqiptare deri më tani njihen në Belgjikë por deri në tre muaj, në Kroaci, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Malin e Zi dhe Kosovë, përcjell albinfo.ch.