Një 36-vjeçar i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për tentim vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje është arrestuar në Spanjë, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”. Arrestimi i shtetasit me inicialet A. N., i lindur në Shkodër, u realizua përmes bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me Interpol Madridin, përcjell albinfo.ch.
Sipas njoftimit të policisë shqiptare, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër, në vitin 2022, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale të vrasjes së mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit.
Sipas hetimeve, 36-vjeçari dyshohet se në mars të vitit 2022, për motive të dobëta, kishte qëlluar me armë zjarri automatike drejt një objekti në pronësi të shtetasit me inicialet S. S., në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës. Nga të shtënat ishin shkaktuar vetëm dëme materiale.
Pas arrestimit në Spanjë, ndaj tij është caktuar masa e arrestit të përkohshëm me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Ndërkohë, Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me Interpol Madridin për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 36-vjeçarit. /Albinfo.ch