Shkurt.ch

Dhurimi i organeve, vetëm me pajtimin e qartë të dhuruesit

Propozimi i mbivotuar ishte që organet të mund të dhuroheshin në të gjitha rastet kur pronari i tyre, para vdekjes, nuk e ka kundërshtuar shprehimisht dhurimin e tyre

Dhurimi i organeve për transplantim edhe në të ardhmen do të mund të bëhet vetëm me pëlqimin e qartë paraprak të dhuruesit. Këtë vendim e ka marrë të premten Komisioni për Shëndetësi i Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës.

Komisioni, me 16 vota pro dhe 8 kundër, ka vendosur që sistemi i dhurimit të organeve të mbetet me të vjetrën, bën të ditur srf.ch. Propozimi i mbivotuar ishte që organet të mund të dhuroheshin në të gjitha rastet kur pronari i tyre, para vdekjes, nuk e ka kundërshtuar shprehimisht dhurimin e tyre.

Pasi që Dhoma e Kantoneve tashmë e ka hedhur poshtë modelin e ri, në rast se edhe Dhoma Nacionale e bën të njëjtën gjë, atëherë çdo gjë mbetet sipas praktikës së deritashme.

Megjithatë, shumica e anëtarëve të komisionit e pranon ekzistimin e problemit që ka Zvicra me përqindjen e ulët të dhuruesve të organeve. Për të ndryshuar këtë gjendje është paraparë të merren masa plotësuese në arsimimin e personelit shëndetësor dhe në informimin e popullatës.

Në Zvicër për çdo vit vdesin dhjetëra persona vetëm nga mungesa e organeve të dhuruara për transplantim. Në fund të shtatorit të këtij viti po prisnin 1306 persona për 1346 organe. Se sa e ndjeshme është gjendja në këtë drejtim tregon fakti se gjatë gjithë shtatorit është regjistruar vetëm një dhurues organi, njofton Swisstransplant në faqen e vet të internetit.