Kosova

Diaspora, edhe një hap më afër votimit në ambasada e konsullata

Deputeti Korab Sejdiu ka njoftuar se sot ka përfunduar punën grupi punues i Komisionit për Legjislacion për hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë

“Qëllimi i kësaj iniciative të propozuar nga unë dhe të përkrahur unanimisht nga Komisioni për Legjislacion, është që t’i mundësohet diasporës sonë votimi në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës, si alternativë shtesë përpos metodave të parapara me ligjin aktual. Së shpejti pritet që ky projektligj të dalë në komision për votim, dhe pastaj të vazhdohet me procedurat e tjera deri në miratim”, ka shkruar ai.

Sejdiu u ka uruar vitin e ri 2019 diasporës me ligjin e ri. “Shpresoj se viti i ri për diasporën tonë të dashur të vijë duke iu dhuruar një ligj që ua mundëson atyre të ndihen më afër atdheut, duke qenë pjesë përbërëse dhe përmbajtjesore e procesit zgjedhor në vend. Ndryshimet e mëdha në vend gjithmonë kanë ardhur nga diaspora!”, ka përfunduar shkrimin e tij Sejdiu.