CH-Ballkani
Baza e KFOR-it gjerman shndërrohet në qendër trajnimi
Baza ushtarake e KFOR-it gjerman në Prizren, do të vazhdojë të kontribuojë në të mirë të qytetarëve të këtij qyteti, pasi shumë shpejt do të shndërrohet në park për inovacione dhe trajnime.
Ky transformim pritet të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, atëherë kur do të largohen të gjithë ushtarët gjermanë të KFOR-it nga Prizreni dhe do të vendosen në Prishtinë.
Në këtë kamp, që ka mbi 40 hektarë, të rinjtë dhe të rejat e Kosovës do të mund të marrin njohuri dhe të trajnohen për teknologji informative, bujqësi, ushqim dhe agro-përpunim, industri kreative, turizëm, arsim, shkencë dhe hulumtime të ndryshme.
Lis Dorambari nga zyra për media e Komunës së Prizrenit thotë për Radion Evropa e Lirë, se së bashku me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) janë duke hartuar planin rregullues të këtij parku, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch.
“Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve, ku qëllimi kryesor do të jetë zhvillimi ekonomik, mundësi për arsim dhe aftësim profesional. Do të ketë biznese të ndryshme. Tani është duke u bërë studimi i fizibilitetit nga ana e GIZ-it gjerman dhe është bërë edhe takimi informues mes Komunës së Prizrenit dhe GIZ-it, për hartimin e një plani rregullues”, thotë Dorambari.
Kampi posedon 23 ndërtesa me 550 dhoma me kapacitet për banim për rreth 1,200 persona. Sipas analistit Emrush Ujkani, qytetarët e Kosovës tani kanë nevojë më shumë për përkrahje ekonomike sesa ushtarake. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë, se Gjermania vazhdon të jetë partneri më strategjik i Kosovës së pasluftës.
“Largimi i ushtarëve gjermanë mund të shpjegohet në dy mënyra; e para, kjo dëshmon se Kosova po shndërrohet në një shoqëri civile, ku fuqia ose prezenca militare apo ushtarake nuk është e nevojshme dhe Kosova ka nevojë për prezencë ekonomike, prandaj fuqia sot e vendeve të ndryshme nuk duhet të matet vetëm me terme ushtarake, por edhe ekonomik. Dhe në këtë drejtim e shoh kontributin ose vazhdimin e raporteve të Gjermanisë me Kosovën”, thotë Ujkani.
Derisa në vitin 1999, ushtarët gjermanë hynë në Prizren, me tanke e armatim të rëndë, ata tash u larguan me bandë muzikore. Sheshi Shatërvan, ishte vend-takimi i fundit i ushtarëve gjermanë të KFOR-it me qytetarët prizrenas.
Pas 19 vjetësh shërbim në këtë qytet, me ceremoni ushtarake dhe me duartrokitje të shumta ushtarët gjermanë kanë bërë parakalimin lamtumirës, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch.
Qytetarët e Prizrenit, ishin shumë të emocionuar me këtë parakalim, derisa kujtonin ditën kur trupat e KFOR-i gjerman hynë në Prizren pas çlirimit të Kosovës. Suzana Skeja nga Prizreni, thotë se shumë e dhimbshme largimi i tyre, por të në njëjtën kohë edhe gëzim.
“Po kam emocione që po i shoh bile këta, se ditën e parë i kam parë këta kur kanë ardhur. Këtu në shatërvan kam qenë me fëmijë”, thotë Suzana Skeja.
Për Naim Spahiun, është ende i freskët kujtimi kur pa për herë të parë ushtarët gjermanë në Urë të Gurit. Ai thotë se asnjëherë nuk do ta harrojnë kontributin e këtyre ushtarëve, por edhe të popullit gjerman.
“Shumë mirë më kujtohet. Ishte viti 1999, pikërisht këtu qëllova tek Ura e Gurit, e takova një grua të afërme të gjakut tim, e komshiut. Hynë forcat e NATO-s, ka qenë gëzim i madh. Gëzim i paparë, i paparashikuar ndonjëherë në historinë e popullit. Unë nuk do ta harroj kurrë për jetë”, thotë Spahiu.
Bundesweri edhe më tutje do të jetë i angazhuar në kuadër të KFOR-it, pasi disa ushtarë gjermanë do të stacionohen në Prishtinë, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch.
Gjermania do të mbetet e pandryshuar në listën e 10 vendeve me praninë më të madhe të ushtarëve në kuadër të KFOR-it, ndërsa në qendrën e vëmendjes së saj do të jetë avancimi i mëtejmë i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Të ngjashme
Të tjera nga CH-Ballkani
E-Diaspora
-
Spanjë
Orkestra “Amadeus” triumfon në Spanjë, fiton çmimin kryesor “Grand Prix” Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare,... -
Londër
Hapet shkolla e dytë shqipe në Manchester -
Presidentja Osmani i ndan mirënjohje gazetarit veteran, Rexhep Rifati -
Winterthur
“Ne dhe Ata” sonte në Winterthur, komedia që prek realitetin e mërgatës -
Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë
Jeta në Austri
-
Afër Pashkëve, 8,300 lepuj ngordhin në trafikun rrugor në Austrinë e Poshtme Rreth Pashkëve, sezoni i çiftëzimit të lepujve arrin kulmin. Në këtë fazë veçanërisht aktive, trafiku rrugor... -
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik












