Sport
Gjyqtari i vetëm shqiptar në Challenge Ligë të Zvicrës
Bekim Zogaj tregon për përvojat e tij si gjyqtar futbolli, për ndarjen e drejtësisë me Barcelonën (në futboll të vogël) etj.

Ndërkohë që janë kaq të shumtë futbollistët shqiptarë, yje në superligën zvicerane, Bekim Zogaj është aktualisht i vetmi shqiptar që ndan drejtësinë, një shkallë më poshtë, në Challenge Ligë. Para tij, ka qenë Saimir Reli, nga Shqipëria, asistent në këtë kategori, i cili pastaj e ka braktisur referimin.
Sikur edhe gjyqtarët tjerë të futbollit, edhe Bekim Zogaj rrugën për profesionin e tij të sotëm e ka nisur nga pasioni për lojën e futbollit. Që nga viti 1991 deri në vitin 1999 ka luajtur për FC Wiesendangen të Winterthurit.
Në vitin 1997 ka mbaruar kursin për gjyqtar futbolli. Për dy vite ka qenë në “Grupin e talenteve të Cyrihut”, grup, të cilin tash, pas sa vitesh, e udhëheq si shef i tyre.
Por, primar për Zogajn, mbetet avancimi në punën e gjyqtarit. “Si gjyqtar, kam arritur deri në shkallën e kandidatit për gjyqtar kryesor në Challenge Ligë. Prej një korrikut jam gjyqtar anësor në këtë ligë. Paralelisht jam edhe kandidat për gjyqtar ndihmës në Superligë” shprehet ai. “Notat i kam shumë të mira, tash të shohim…”.
Si bëhet njeriu gjyqtar futbolli? “Duhet kaluar disa provime ku përfshihen teste fizike dhe teorike. Pasi të kesh filluar punën, duhesh t`u nënshtrohesh testeve fizike katër herë në vit. Trajnimet përfshijnë edhe komunikimin me mediet, qasjen e gjyqtarit në raport me presionet, etj”, sqaron gjyqtari shqiptar i Challenge Ligës zvicerane.
Bekimi, është angazhuar edhe si gjyqtar në Futsal (futboll të vogël). Para rreth një muaji ai ka marrë pjesë në një turnir të madh të mbajtur në Riga të Letonisë. Ky sukses e ka vënë atë para dilemave: të vazhdojë me futboll klasik apo të orientohet në futsal! “Nëse do të kem sukses të inkuadrohem në superligë ose të bëhem gjyqtar anësor i FIFA-s, do të vazhdoj me referim në fushë të hapur. Nëse jo, atëherë orientimi që do të marr, do të jetë futsal”, thotë Bekim Zogaj.
Prej dy vitesh Bekimi është futur në listë të FIFA-s për futboll të vogël. Në këtë listë nuk ka ende asnjë gjyqtar tjetër zviceran. Rezultatet e tri turnireve të fundit, në Malta, Letoni dhe në Islandë, ia përforcojnë atij vendin në këtë listë.
I pyetur për sfidat e njohura, kërcënimet dhe presionet që përcjellin punën e gjyqtarit të futbollit, ai thotë se edhe këto janë pjesë e punës. “Sa më në nivel të lartë të referosh, ke më shumë kërcënime, por, në ligat e larta ato janë kryesisht verbale”.
Edhe gjyqtarët dënohen, por në vend të kartonëve, ata marrin nota nga komisioni që përcjell ndeshjen, thotë Bekimi, i pyetur se a merr edhe ai kartonë të kuq apo vetëm ndan të tillë.
Zogaj ka njohuri të mira rreth kushteve në të cilat punojnë kolegët e tij në Kosovë. “Kam qenë në prill atje, ku kam referuar ndeshjen në futboll të vogël në mes të Prishtinës dhe kampionit të Zvicrës. Njihem me disa gjyqtarë të Kosovës, mbaj kontakte me ta, i admiroj për punën që e bëjmë me idealizëm, në kushte të vështira”, thotë ai. Bekimi është përpjekur që, brenda mundësive të veta, të ndihmojë ata herë pas here, duke u dërguar nga Zvicra kostume gjyqtarësh etj. “Së shpejti do t`ua dërgoj edhe disa rekuizita të nevojshme për punën e tyre” thotë ai.
Ndërsa thekson se i kanë ofruar të mbajë ndonjë kurs në Kosovë, gjyqtari nga Zvicra pranon se, për shkaqe objektive, ende nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë. Lidhur me problemet e gjyqtarëve në Kosovë Bekimi shpreh keqardhje, sepse ata u nënshtrohen presioneve e shantazheve të ndryshme.
Në turnirin e nivelit të lartë në Letoni, që është mbajtur në fund të shtatorit, ka marrë pjesë edhe Barcelona, e cila është pjesë e klubit të famshëm të Barcelonës katalonase. Kjo skuadër është kampione në Spanjë. Po kështu Spanja ka qenë kampione botërore edhe në Futsal në vitin 2004. Kështu që edhe Barcelona e futbollit të vogël është skuadra më e mirë në botë. Në turnir ka marrë pjesë edhe “Györi”, kampioni i Hungarisë, ai i Bosnjës “Trebinja” dhe “Riga” e Letonisë.
“Notat nga ky turnir i kam pasur shumë të larta. Po kështu vlerësime të larta pata marrë edhe në Islandë. Pas referimit atje, jam ngjitur një kategori më lartë në shkallët e referimit. Vlerësimi reflektohet pastaj edhe në trajtimin që më bëhet për garat e ardhshme. Kështu, falë kritikave të mira, unë, në kualifikimet për Kampionatin Botëror do të referoj prej xhiros së dytë ose të tretë dhe jo prej të parës, që d.m.th. cilësi më e lartë”, sqaron Zogaj.
Bekim Zogaj, i lindur para 31 viteve në Prejlep të Deçanit. Në Zvicër, ku ka ardhur si dhjetëvjeçar, ka kryer shkollën për komercialist. Në mars 2012 fillon Shkollën e lartë për ekonominë e ndërmarrjeve. Rreth ambicieve për të bërë karrierë në punë, krahas angazhimit kaq të madh në futboll, Bekimi është i rezervuar. Ai është i kënaqur me punën që bën në komunën e Winterthurit si kontabilist, me trajtimin që i bëhet dhe mirëkuptimin që ka punëdhënësi për angazhimet e tij si gjyqtar futbolli.
Të tjera nga Sport
E-Diaspora
-
Foto
Dita e dytë e Alba Festivalit Sot është dita e dytë e Alba Festivalit, ku pritet një atmosferë e zjarrtë ...
-
Ndryshime në votimin nga diaspora, fletëvotimet do t’u dërgohen me postë votuesve
-
Kosovarja fsheh pasurinë prej 350,000 frangash për të marrë ulje të primeve
-
Mijëra shqiptarë “pushtuan” rrugët e Nju Jorkut në paradën kuqezi
-
Arrestohen 11-të persona në Itali, mes tyre shqiptarë
Jeta në Austri
-
Rënie e ndjeshme në ribashkimin familjar të refugjatëve në Austri Procesi i ribashkimit familjar për refugjatët në Austri është ngadalësuar ndjeshëm, madje edhe para ndalimit formal...
-
Austri: 11 të lënduar në aksidentin e rëndë me autobus në A1
-
95.8% e liqeneve dhe lumenjve të Austrisë janë vlerësuar si të “shkëlqyeshëm”
-
Ku në Evropë janë pikat më të pastra dhe më të pista të notit?
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen?