E-Diaspora

Kosova e nderon Dritëro Agollin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës në Tiranë do të dekorojë shkrimtarin e njohur shqiptar, Dritëro Agollin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, do të vizitojë familjen e shkrimtarit Dritëro Agolli dhe me këtë rast do ta dekorojë shkrimtarin e njohur shqiptar, shkruan albinfo.ch.

“Të hënën, në ora 14:50, presidenti Thaçi po ashtu në ambientet e Hotele PLAZA do të dekoroj edhe personalitet tjera shqiptare nga fusha e kulturës dhe shkencës për rolin e tyre të veçantë në shërbim të lirisë dhe shtet ndërtimit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Shqipëri.

Ndërkohë, Hashim Thaçi është shprehur se marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë kanë fituar dimension të partneritetit strategjik. Thaçi përmes një postimi në “Facebook” është shprehur se me Shqipërinë është rritur shkëmbimi tregtar.

“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë tashmë kanë fituar dimension të një partneriteti strategjik të vënë në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive e që i hap rrugën institucionalizimit të marrëdhënieve dypalëshe në çdo fushë. Që kur kemi përmirësuar komunikimin duke ndërtuar autostrada në të dy anët e kufirit, kemi shtuar edhe shkëmbimin tregtar. Vetëm në vitin 2015, shkëmbimi tregtar është rritur për 40 për qind në krahasim me një vit më parë”, ka shkruar Thaçi.

Ai është shprehur se qytetarët e Shqipërisë janë vizitorët më të mëdhenjë në Kosovë ashtu siç është Shqipëria destinacioni i qytetarëve të Kosovës.

“Shqipëria mbetet destinacioni kryesor i kosovarëve për turizëm, sikur që qytetarët e Shqipërisë janë vizitorët më të numërt të Kosovës. Mbetemi të përkushtuar që përmes pakove të turizmit t’i ofrojmë Shqipërinë dhe Kosovën si një zone të përbashkët turistike. Në rajon, Shqipëria është zëri shtesë i Kosovës, ndërsa Kosova zëri përkrahës i politikës konstruktive të Shqipërisë në rajon. Të gjitha këto janë themelet e një bashkëpunimi shembullor mes Kosovës dhe Shqipërisë për të cilin nesër do të bisedoj me krerët e shtetit shqiptar”, ka shkruar më tutje Thaçi në “Facebook”.