Integrimi
Rritje në cilësi dhe sasi e festivalit Kino Kosova në Bernë
Javën që lamë pas në Bernë u mbajt edicioni i katërt i festivalit KinoKosova, i cili, përveç në Bernë, mbahet edhe në Cyrih
Nga 20 deri me 24 shtator, adhuruesit e artit të shtatë patën mundësi që për herën e katërt me radhë të ngujohen para ekranit të madh në Bernë e të ndjekin një program mjaft interesant, ku pos filmave, bënin pjesë edhe punëtoritë, panelet e diskutimit, një ekspozitë arti si dhe në fund, një koncert.
Filmdashësit iu gëzuan shfaqjes së mbi 30 filmave të metrazheve të ndryshëm nga artistë e regjisorë nga Kosova, si dhe të mysafirëve që kësaj radhe ishin kineastë nga Greqia, shkruan albinfo.ch. Kjo, për publikun ishte një mundësi e mirë për të përjetuar dhe mësuar nga perspektiva e rajonit të Ballkanit.
Tashmë me dy edicione brenda vitit, në Cyrih dhe Bernë, Kino Kosova ngadalë dhe sigurt po shndërrohet në një festival serioz, jehona dhe fama e të cilit nga viti në vit është duke shënuar ngritje të mirëfilltë.
“Konsistenca apo edhe lidhja për idenë e organizimit të një festivali më se të nevojshëm për komunitetin shqiptaro-zviceran, janë tashmë një ndër çelësat kryesorë të suksesit të vazhdueshëm të këtij projekti” tha për Albinfo.ch, drejtori artistik i KinoKosova, Sabahet Meta.
Sipas tij, festivali po rritet në mënyrë të natyrshme, duke u nisur edhe nga numri i drejtuesve dhe i afër 20 vullnetarëve, shkruan albinfo.ch. Ndërsa për numrin e shikuesve mjafton të thuhet se këtë vit, në mungesë të ulëseve të mjaftueshme, shpesh herë ka ndodhur që shikuesit janë detyruar të ulen edhe në tokë, për të ndjekur programin e KinoKosova.
Lidhjes tashmë speciale mes Zvicrës dhe Kosovës, organizatorët ia kanë ofruar edhe këtë platformë, ku trajtohen shumë aspekte që e karakterizojnë shoqërinë kosovare (dhe atë evropiane), siç janë migracioni, gjinia, vizat, shpresat, ligjet dhe nevojat.
Pjesë e KinoKosova të edicionit të katërt ishte edhe filmi “Cascadeuses” i regjisores shqiptare nga Zvicra, Elena Avdija. Ai ofron njohuri mbi botën e rrezikshme të grave kaskadere, e cila është ende e padrejtë në krahasim me atë të burrave të këtij profesioni. Kujtojmë se Elena në Festivalin e Filmit të Cyrihut (ZFF, në progreamin “Focus”) vitin e kaluar ishte shpallur fituese për regjinë më të mirë. Ajo po ashtu është vlerësuar si Personalitet i Vitit 2022 në sferën e kulturës respektivisht filmit, nga redaksia e platformës mediale albinfo.ch.
“Cascadeuses” që u shfaq në natën e fundit të festivalit, ngjalli shumë reagime nga të pranishmit. Në fund shikuesit patën mundësi të marrin pjesë në rubrikën “Pyetje dhe përgjigje”, si platformë bashkëbisedimi mes shikuesve dhe regjisorëve/aktorëve.
Për regjisoren Avdija, që merrte pjesë për herë të parë në këtë festival, KinoKosova është një pasqyrë/platformë e mirë për shikuesit në Zvicër për të treguar se edhe në vende, si Kosova, ka filmbërës që me veprat e tyre dinë të japin mesazhe të fuqishme.
Si pjesë përbërëse e KinoKosova këtë vit ishin edhe panelet e diskutimit, ku u trajtuan tema të ndryshme, e jo vetëm të kinematografisë, raporton albinfo.ch. Ato u moderuan nga gazetarja zvicerane, Aleksandra Hiltmann, e cila që nga edicioni i parë është pjesë e KinoKosovës.
Hiltmann deklaroi për albinfo.ch se ky edicion ka qenë një sukses i madh jo vetëm për nga numri i shikuesve, por edhe nga cilësia e filmave, si dhe nga programi më se i pasur i festivalit.
Ekspozita e artistit të mirënjohur kosovar, Jakup Ferri, ishte ngjarja tjetër që e pasuroi edhe më shumë KinoKosovën.
Jakup Ferri vitin e kaluar ishte pjesëmarrës në Bienalen e Venecias, ku përmes artit ngacmon vizitorët me imagjinatën e tij të gjallë, ngjyra të fuqishme, një shije delikate të humorit si dhe pafajësinë fëmijërore.
Festivali KinoKosova, siç është bërë tashmë traditë, u përmbyll në mënyrën më të mirë me një koncert, ku për të pranishmit u përkujdesën Edona Vatoci me grupin e saj dhe Leart Rama nga Kosova, si dhe DJ PanoΣ.
E-Diaspora
-
“Vendlindja ime është tani në Google Maps Street View”, Dua Lipa promovon Prishtinën me një video të veçantë Këngëtarja me famë botërore ftoi ndjekësit të eksplorojnë Prishtinën përmes Google Maps Street View, duke prezantuar... -
Kurti takon shkencëtarin shqiptar nga Universiteti i Cyrihut, diskuton për zhvillimin e inteligjencës artificiale në Kosovë -
Kur ëndrra bëhet realitet: Katy Perry i këndon për ditëlindje Erës në Sunny Hill -
Kurti: Sunny Hill e ka vendosur Kosovën në hartën botërore të festivaleve -
Sunny Hill nis me spektakël, mijëra vizitorë nga e gjithë bota në Prishtinë
Jeta në Austri
-
48,000 fëmijë austriakë do të marrin nga 150 euro për pajisje shkollore Fillimi i vitit shkollor është një barrë e madhe financiare për shumë familje. Që nga viti... -
Shqiptarja Esmeralda Kazia shpallet “Cybersecurity Woman of the World 2026” -
Publikohet raporti i parë zyrtar për viktimat e luftës në Kosovë, dokumentohen 13.227 persona -
Vizitorët ndotin Danubin e Vjetër -
25% e fëmijëve gjermanë që jetojnë në Austri humbasin një vit shkollor
























