Kosova

35 të akuzuar për krime lufte në lagjen e Jasharëve në Prekaz

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 35 personave, të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë sulmit në Prekaz në mars të vitit 1998.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 35 të pandehurve, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile” në lagjen e Jasharëve në Prekaz, përcjell albinfo.ch.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një konferencë për media të premten, tha se kjo është aktakuza e parë që lidhet drejtpërdrejt me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve.

“Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë dhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz”, tha Isufaj.

Ai shtoi se tani i takon Gjykatës të vlerësojë aktakuzën dhe provat e paraqitura nga Prokuroria, duke theksuar se gjatë hetimeve është punuar me kujdes të shtuar për të siguruar prova për pretendimet e ngritura.

35 të pandehur, pjesëtarë të strukturave të policisë serbe

Prokurori Valdet Gashi tha se aktakuza është rezultat i një hetimi disavjeçar dhe se rasti është ndër më kompleksët e trajtuar nga Prokuroria Speciale.

Sipas tij, bazuar në provat materiale dhe personale të mbledhura gjatë hetimeve, janë identifikuar 35 të pandehur, të cilët dyshohet se kanë pasur pozita të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të policisë serbe.

Gashi tha se hetimet kanë bërë të mundur identifikimin e njësive serbe që morën pjesë në sulm, pozicioneve nga të cilat u kryen sulmet, veprimeve të secilit prej të pandehurve, armatimit të përdorur dhe dëmeve të shkaktuara në njerëz dhe pasuri.

26 civilë të vrarë

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë sulmit në lagjen e Jasharëve, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, janë vrarë 26 persona civilë.

Në mesin e viktimave, sipas prokurorit Gashi, kishte fëmijë që nga mosha pesëvjeçare, gra dhe persona të moshuar.

Prokuroria gjithashtu pretendon se gjatë sulmit, forcat serbe kishin marrë peng banorë të lagjes dhe i kishin keqtrajtuar në forma të ndryshme.

Rasti tani i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila pritet ta shqyrtojë aktakuzën dhe provat e paraqitura nga Prokuroria Speciale./Albinfo.ch