Policia gjermane është në kërkim të një 22-vjeçari, shtetas i Kosovës, dhe një 23-vjeçari, shtetas grek, pas një sulmi me thikë në Marsberg-Essentho të North Rhine-Westphalia, ku një 15-vjeçar humbi jetën dhe një 18-vjeçar u plagos rëndë, transmeton albinfo.ch.
Ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje, pas një feste. Sipas të dhënave të deritanishme, viktima 15-vjeçare ishte shtetas gjerman nga Dortmundi, ndërsa 18-vjeçari i plagosur rëndë është shtetas rumun nga Marsbergu.
I riu 18-vjeçar është dërguar në spital me plagë të shkaktuara nga thika. Prokuroria ka bërë të ditur se ai pritet të merret në pyetje sapo gjendja e tij shëndetësore ta lejojë. Ndërkohë, ndaj trupit të 15-vjeçarit është kryer autopsia.
Policia ka zhvilluar kërkime intensive për dy të dyshuarit, duke përfshirë edhe një helikopter gjatë natës. Kërkimet janë përqendruar në zonat e Marsbergut dhe Olsbergut.
Sipas hetimeve fillestare, sulmit dyshohet se i ka paraprirë një konflikt. Megjithatë, rrethanat e sakta të ngjarjes dhe motivi ende nuk janë bërë të ditura.
Prokurorja Annika Berg ka deklaruar se autoritetet për momentin nuk do të publikojnë përshkrimet e personave të kërkuar. Hetimet po vazhdojnë, ndërsa deri tani nuk është bërë e ditur nëse dy të dyshuarit janë lokalizuar./Albinfo.ch