Zvicra po shqyrton mundësinë e krijimit të një forme alternative ndaj martesës, që do t’u mundësonte çifteve të rregullojnë marrëdhënien e tyre ligjërisht pa u martuar, përcjell albinfo.ch.
Sipas propozimit, çiftet që nuk zgjedhin martesën, por duan mbrojtje juridike të ndërsjellë, mund të hyjnë në një partneritet civil formal në të ardhmen.
Aktualisht është duke u zhvilluar një proces konsultimi lidhur me të ashtuquajturin “Pakt i Solidaritetit Civil” (PACS), i cili është i frymëzuar nga modeli francez.
Qëllimi i kësaj nisme është krijimi i një forme bashkëjetese ligjore me të drejta dhe detyrime të përcaktuara qartë për çiftet që zgjedhin të mos martohen.
Komisioni për Çështje Ligjore i Këshillit të Shteteve ka nisur konsultimet mbi këtë çështje të mërkurën, ndërsa procesi pritet të zgjasë deri më 17 shtator. /Albinfo.ch