Lajme

Zvicra përjeton një tjetër “natë tropikale”, temperaturat nuk zbresin nën 20°C

Rajoni i Bazelit regjistroi temperaturat më të larta, pasi gjatë ditës së enjte termometri arriti deri në 38°C në Binningen, ndërsa edhe gjatë natës temperaturat mbetën në nivele shumë të larta

Foto ilustrim

Zvicra ka përjetuar edhe një natë tropikale, pasi temperaturat në shumë rajone të vendit nuk ranë nën 20 gradë Celsius gjatë natës. Fenomeni është bërë gjithnjë e më i shpeshtë si pasojë e valës së fortë të të nxehtit që ka përfshirë vendin dhe pjesën më të madhe të Evropës.

Rajoni i Bazelit regjistroi temperaturat më të larta, pasi gjatë ditës së enjte termometri arriti deri në 38°C në Binningen, ndërsa edhe gjatë natës temperaturat mbetën në nivele shumë të larta. Kjo e bën pushimin gjatë natës më të vështirë, sidomos për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore, transmeton albinfo.ch.

Meteorologët e përkufizojnë një natë tropikale si një natë kur temperatura minimale nuk bie nën 20°C. Këto net konsiderohen veçanërisht të rrezikshme, pasi trupi nuk arrin të ftohet pas vapës së ditës, duke rritur rrezikun e dehidratimit, goditjes nga të nxehtit dhe problemeve kardiovaskulare.

Autoritetet zvicerane vazhdojnë të mbajnë në fuqi paralajmërimet për vapën ekstreme dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kujdesen veçanërisht për grupet më të rrezikuara. Sipas parashikimeve, temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.