Lajme

Zvicër: AOZ humb kontratat për qendrat e azilit, rrezikohen 450 vende pune

Organizata e Azilit e Cyrihut (AOZ) do të humbasë nga 1 janari 2027 të tre kontratat për ofrimin e shërbimeve në qendrat federale të azilit në Zvicër. Vendimi prek rreth 450 punonjës.

Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) ka përfunduar tenderin e ri për gjashtë kontrata, të cilat u janë dhënë kompanive ORS Service AG dhe Convalere AG.

Sipas SEM-it, kompanitë fituese paraqitën raportin më të mirë mes çmimit dhe performancës. Në tenderin e ri, çmimit iu dha më shumë peshë se në procedurën e mëparshme.

Autoritetet zvicerane theksojnë se vendimi nuk lidhet me probleme në punën e AOZ-së. Sipas SEM-it, bashkëpunimi me organizatën ka qenë i mirë dhe shërbimet e saj janë vlerësuar pozitivisht.

AOZ deklaron se ende po analizon vendimin dhe nuk ka përcaktuar nëse çmimi ka qenë faktori vendimtar. Organizata thotë se do të përpiqet që sa më shumë nga punonjësit e prekur të gjejnë vende të reja pune, qoftë te operatorët e rinj, qoftë brenda AOZ-së.

Ndryshimi i operatorëve pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, kur skadojnë kontratat aktuale.