Skip to content

Përtej dashurisë, përtej jetës: “Romeo dhe Xhulieta” në skenën e Festivalit “Moisiu” në Shkup

Me regjinë e Ilir Bokshit dhe interpretimet e Valmir Krasniqit, Qëndresa Jasharit dhe Ylber Bardhit, Teatri Kombëtar i Kosovës solli tragjedinë e Shekspirit para një salle të mbushur plot. Sonte, në orën 21:30, ndahen çmimet “Moisiu 2026”.

Më shumë se katër shekuj pas Shekspirit, historia e Romeos dhe Xhulietës vazhdon të na kujtojë se dashuria nuk lind me urrejtje, por mund të bëhet viktimë e saj. Dhe se pajtimi, kur vjen tepër vonë, nuk mund ta kthejë më atë që është humbur.

Mbrëmjen e 21 nëntorit, kjo tragjedi u ngjit në skenën e Teatrit Shqiptar të Shkupit nga trupa e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në kuadër të edicionit të katërt të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu”. Para një salle të mbushur plot, publiku ndoqi një shfaqje ku pasioni, tensioni dramatik dhe emocionet u ndërthurën përmes interpretimit të aktorëve dhe regjisë së Ilir Bokshit.

Regjisori e solli veprën me një frymë të gjallë, duke ruajtur thelbin e saj dhe duke krijuar kalime të natyrshme mes çasteve komike dhe atyre dramatike. Humori i dha gjallëri shfaqjes, ndërsa ritmi i ngjarjeve e mbajti publikun të vigjilent deri në fund. Valmir Krasniqi, në rolin e Romeos, dhe Qëndresa Jashari, në rolin e Xhulietës, sollën interpretime që pasqyruan ndjeshmërinë dhe kompleksitetin emocional të personazheve. Në rolin e priftit, Ylber Bardhi solli një interpretim të natyrshëm dhe bindës, duke pasqyruar përpjekjet e personazhit për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe për të shmangur tragjedinë.Loja e përbashkët e trupës dhe dinamika skenike krijuan një tërësi artistike që u prit me duartrokitje të gjata nga publiku.

Sonte ndahen ç mimet “Moisiu 2026”

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit “Moisiu” i zhvilluar në Shkup nga 16 deri më 22 nëntor, përmbyll sonte edicionin e katërt me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, duke filluar nga ora 21:30. Sipas organizatorëve, do të ndahen pesë çmime: Shfaqja më e mirë, Regjia më e mirë, Aktori më i mirë, Aktorja më e mirë dhe Çmimi i karrierës.

Festivali ka bashkuar trupa teatrore nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Presheva, duke sjellë para publikut vepra të dramaturgjisë shqiptare dhe botërore.