Një sondazh i realizuar nga Kancelaria Shtetërore e kantonit zviceran Aargau ka treguar se shumica e qytetarëve vendosin ta dorëzojnë votën e tyre vetëm në javën e fundit para ditës së votimit.
Sipas të dhënave të mbledhura në afro 200 komuna, 54.4 për qind e votuesve votuan gjatë javës së fundit, ndërsa vetëm 4.8 për qind e kishin dorëzuar votën në javën e parë pas marrjes së materialeve zgjedhore.
Sjellja e votuesve ndryshon nga një komunë në tjetrën. Në disa zona, si Merenschwand dhe Erlinsbach, një pjesë e madhe e qytetarëve votojnë herët, ndërsa në komuna të tjera votimi shtyhet deri në ditët e fundit. Në Sisseln, për shembull, rreth 75 për qind e zarfeve të votimit mbërritën vetëm gjatë javës së fundit.
Mënyra më e përdorur e votimit në Aargau është dorëzimi i zarfit në kutinë postare të komunës, të cilën e zgjodhën 62.2 për qind e votuesve. Rreth 35.6 për qind përdorën postën, ndërsa vetëm 2.2 për qind votuan fizikisht në qendrën e votimit ditën e zgjedhjeve.
Autoritetet kantonale vlerësojnë se afërsia e afatit ndikon në zgjedhjen e mënyrës së dorëzimit, pasi votuesit që presin deri në fund shpesh preferojnë kutinë postare të komunës për të shmangur vonesat postare/albinfo.ch/