Botërori 2026

Yakini thotë se zëvendësimet e duhura ishin çelësi i suksesit

Murat Yakin shkruan histori me Zvicrën, e dërgon në çerekfinale të Botërorit pas 72 vjetësh

Trajneri i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, ka hyrë në historinë e futbollit zviceran pasi udhëhoqi ekipin drejt çerekfinales së Kupës së Botës 2026, një arritje që vjen pas plot 72 vjetësh, përcjell albinfo.ch.

Me fitoren ndaj Kolumbisë në fazën e 1/8 së finales, Zvicra siguroi një vend mes tetë kombëtareve më të mira të botës për herë të parë që nga Botërori i vitit 1954, kur vendi ishte mikpritës i turneut.

Zvicra ka qëndruar e qetë dhe ka përfituar nga zëvendësimet e duhura dhe në kohën e duhur, për ta mposhtur më pas Kolumbinë në penallti për vend në çerekfinale të Botërorit. Kështu ka thënë selektori i Zvicrës, Murat Yakin.

Ruben Vargas realizoi penalltinë vendimtare për festën e madhe të Zvicrës, përkatësisht për fitoren 4:3.

Ai ishte njëri prej zëvendësuesve. Ardon Jashari startoi te Zvicra, por dëshpëroi dhe u zëvendësua pas pjesës së parë.
“Ishte vështirë në fillim, por mbetëm në lojë dhe shfaqëm mentalitet”, ka thënë Yakin. “Me pas aktivizova lojtarët e duhur në momentin e duhur. Në fund ishte me rëndësi që të jenë në fushë lojtarët që i shënuan penalltitë”, ka theksuar Yakin.
Ai ka folur për sukses historik, por ka thënë se vazhdojnë para.

Zvicra u paraqit pa Johan Manzambin e lënduar. Ai ka shkëlqyer në këtë Botëror.

“Secili vendim i vogël ka rëndësi. Mungesa e Johanit ishte goditje, por jemi paraqitur mirë si ekip. E dinim që ishte ndeshje historike. Ishte fitore e pabesueshme. Duhet të jemi të durueshëm, por kishim top-paraqitje dhe jam shumë i lumtur për lojtarët”, ka theksuar selektori i Zvicrës.

Yakin është një figurë e njohur e futbollit zviceran. Ai veshi fanellën e kombëtares nga viti 1994 deri në vitin 2004, ndërsa pas përfundimit të karrierës si lojtar ndërtoi një rrugëtim të suksesshëm si trajner.

Në krye të Zvicrës, ai ka udhëhequr ekipin në Kupën e Botës 2022, Kampionatin Evropian 2024 dhe tani në Botërorin 2026, ku ka arritur suksesin më të madh të karrierës së tij si përzgjedhës.

Përveç rezultateve, Yakin është vlerësuar edhe për mënyrën se si ka ndërtuar një skuadër konkurruese, duke kombinuar përvojën e lojtarëve si Granit Xhaka me talentet e reja të futbollit zviceran.

Pas këtij suksesi historik, Zvicra do të përballet me Argjentinën në çerekfinale, në një duel që pritet të jetë një nga më të fortët e këtij Botërori. Nëse arrin të eliminojë edhe kampionët e Amerikës së Jugut, Murat Yakin do të ketë mundësinë të shkruajë një kapitull edhe më të madh në historinë e futbollit zviceran. /Albinfo.ch