Një çift me dy fëmijë në Zvicër, me të ardhura të përbashkëta prej 11.200 frangash neto në muaj, thotë se rritja e vazhdueshme e shpenzimeve po ia vështirëson jetën. Rrëfimi i tyre për televizionin zviceran RTS ka nxitur debat për koston e jetesës dhe gjendjen financiare të shtresës së mesme.
Sabrina, infermiere në shërbimin e kujdesit në shtëpi, dhe partneri i saj, Mathieu, kopshtar në një komunë, shpenzojnë mbi 7.100 franga në muaj për tatime, kredi hipotekare, sigurim shëndetësor, ushqim, kujdesin për fëmijët, veturën dhe energjinë elektrike.
Pas pagesës së këtyre shpenzimeve, familjes i mbeten rreth 4.059 franga në muaj. Megjithatë, çifti ankohet se paratë që u mbeten për aktivitete familjare po zvogëlohen vazhdimisht.
Sabrina thotë se shtresa e mesme po përballet me presion gjithnjë e më të madh financiar, pasi, sipas saj, duhet të përballojë barrën e shpenzimeve pa përfituar mbështetjen që mund të marrin kategoritë me të ardhura më të ulëta.
Por deklaratat e çiftit kanë nxitur reagime të ndryshme në platformën Reddit. Disa komentues vlerësojnë se, me rreth 4.000 franga të mbetura çdo muaj, familja është në një gjendje relativisht të favorshme financiare. Të tjerë theksojnë se shumë familje jetojnë me të ardhura më të ulëta dhe megjithatë arrijnë të kursejnë.
Rasti ka rikthyer debatin për koston e jetesës në Zvicër dhe vështirësitë me të cilat përballet shtresa e mesme.