Lajme

Xhejlan Raça, koreografja që trashëgon vlerat shqiptare

Xhejlan Raça është koreografe mjaft e talentuar në Graz, e cila shpalos, ruan dhe trashëgon vlerat folklorike përmes tingujve të mrekullueshëm të valleve shqiptare

Muzika dhe pasioni për vallëzim janë rritur bashkë me të. E lindur në Prishtinë, koreografja shqiptare që në moshën e fëmijërisë, bashkë me familje, kishte migruar për në Austri. Në Graz ajo jeton dhe punon. Përveç kësaj, Xhejlan Raça është e njohur edhe si koreografe e valleve të ndryshme shqiptare. Përgjatë këtyre viteve ajo bashkë me grupin e saj të vallëzimit ka marrë pjesë në shumë aktivitete të ndryshme shqiptare që organizohen në Austri.

Albinfo.at: Nga ky pasioni i juaj për vallëzim me tinguj kombëtarë ?

Xhejlan Raça: Si fëmijë e kisha ëndërr për t‘u bërë artiste. Kështu vallen e kam filluar që nga mosha 6-vjeçare si pioniere në “Ansamblin Akademik të Universitetit të Prishtinës” te koreografi, Dilaver Kryeziu. Vallen e vazhdova pastaj edhe këtu në Austri. Në fillim si valltare në shoqatën e tanishme “Rinia” të cilën e udhëheqtë në atë kohë kryetarja Bukurije Limani. Pas pensionimit të saj, kryesia më zgjodhi mua si koreografe, por me përkrahje të vazhdueshme edhe nga kryetarja e re e shoqatës Mikerem Ramadani dhe Bukurije Limani, por edhe shoqeve të tjera që punojmë si grup.

Albinfo.at: Magjia që të falë vallja, ishte virtyt i trashëguar nga familja juaj, apo trokiti thjesht, pa bujë tek ju?

Xhejlan Raça: Përherë në familjen time ka pasur një dashamirësi për artin, për vallet e vendit tonë. Vallen e kam trashëguar nga halla e babit tim, Ylfete Raça, valltarja e parë në ansamblin „Shota“ në Prishtinë. Gjithsesi, i falënderoj edhe prindërit dhe familjen time, për mbështetjen e përhershme gjatë rrugëtimit tim si valltare dhe koreografe, e veçanërisht dy fëmijët e mi: Ernën dhe Aronin, të cilëve për shkak të aktiviteteve shpeshherë ndoshta edhe u kam munguar.

 Albinfo.at: Ju si koreografe e re në moshë, por tash e sa kohë ushtroni grupin e valltareve të shoqatës “Rinia” në Graz. Si po ecin punët dhe a ka të interesuar për vallëzim ?

Xhejlan Raça: Tani po udhëheq gjeneratën e katërt të grupit të vallëzimit në kuadër të kësaj shoqate dhe interesimi është i kënaqshëm. Të gjithë ushtrojnë me pasion dhe janë shumë të disiplinuar. Në mesin e valltarëve është edhe vajza ime Erna që shpresojë t‘i ndjekë hapat e mi, të ruajë kulturën dhe traditën shqiptare. Momentalisht kemi 27 valltarë të dy gjinive, por ka interesim të vazhdueshëm për regjistrim.

 Albinfo.at: A merrni pjesë në organizimet e ndryshme që organizohen në Steiermark dhe më gjerë ?

Xhejlan Raça: Ne kemi bashkëpunim të ngushtë me shumë shoqata dhe marrim pjesë me programin tonë jo vetëm në Steiermark, por në shumë aktivitete në qytete dhe vende të ndryshme të Austrisë.  Këtë vit pos paraqitjeve në disa manifestime në Graz dhe rrethinë, kemi qenë të ftuar për festën e 28 Nëntorit edhe në Baden nga shoqata “17 Shkurti” si dhe shoqata “Illyria King”.

Albinfo.at: Gjatë prezantimeve të koreografive tuaja, kemi vënë re veshje të ndryshme kombëtare. Sa është e vështirë sigurimi i këtyre veshjeve dhe ku i siguroni?

Xhejlan Raça: Është shumë e vështirë për të siguruar veshjet. Zakonisht bashkëpunojmë me dizajnere nga Kosova, të cilat na furnizojnë me veshje kombëtare për valltarët tanë. Fatkeqësisht, shpesh herë veshjet janë paguar nga vetë valltarët.

Albinfo.at: Nuk ju ndihmon apo sponsoron askush?

Xhejlan Raça; Për fat të keq, jo. E tëra bëhet nga grupi ynë i ngushtë dhe rrallë kemi ndonjë ndihmë nga jashtë.  Ndërkohë, për fatin tonë të mirë hapësirën për ushtrime na e ka lejuar shoqata “ISOP”. Aty mbajmë ushtrimet me ekipin tim sipas nevojës, por shpesh edhe çdo javë.

Albinfo.at: Jeni edhe nënë, por edhe punoni, në anën tjetër, merreni edhe më vallëzim e koreografi. Si ia dilni me kohën?

Xhejlan Raça: Nëse çdo gjë planifikohet, kohë ka për çdo gjë, edhe për punë, edhe për familje, edhe për aktivitete të lira.

Albinfo.at: Çfarë e bën vallëzimin e bukur dhe a ka ndonjë rregull ?

 Xhejlan Raça: Mendoj se ekzistojnë rregulla universale, por jo të detajuara. Koordinimi i  lëvizjeve të trupit me vijën melodike që ndjek si universale, por aty pastaj hyn zhanri i vallëzimit e shumë faktorë të tjerë, të cilat i cakton koreografi. Në vallëzimin tonë tradicional, motivet unë i marr nga thesari ynë i pasur popullor. Thjesht, vallëzimi është art që vihet në lëvizje nga mendja, trupi dhe shpirti.

Albinfo.at: Çfarë të veçantë kanë vallet tona, krahasuar me ato të vendeve të tjera, duke bërë që të pëlqehen nga çdo spektator në botë?

Xhejlan Raça: Vendi ynë është burim i valleve perla, duke filluar nga veriu në jug, madje nga Kosova, Maqedonia, Çamëria dhe Mali i Zi, pëlqehen e duartrokiten shqip.