Botërori 2026

Xhaka pas fitores ndaj Bosnjës: Më dhemb kritika, por do të vazhdoj të luftoj për Zvicrën

Kapiteni i Zvicrës reagoi pas triumfit 4:1 ndaj Bosnjës, duke folur për kritikat e ditëve të fundit dhe duke theksuar krenarinë për fanellën kombëtare.

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka folur hapur për kritikat që ka marrë gjatë ditëve të fundit, menjëherë pas fitores bindëse 4:1 të përfaqësueses helvetike ndaj Bosnjë-Hercegovinës në kualifikimet për Kupën e Botës, transmeton albinfo.ch.

Mesfushori shqiptar vlerësoi paraqitjen e skuadrës, duke theksuar se fitorja erdhi falë unitetit dhe angazhimit të të gjithë lojtarëve.

“Pamë një Zvicër të fortë. Ishim të bashkuar me dhe pa top. Bëmë punën e vështirë dhe fituam duelet e rëndësishme. Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë gjatë gjithë 90 minutave”, tha Xhaka.

Duke komentuar kritikat që e kanë shoqëruar pas barazimit të fundit, ai pranoi se komentet negative e prekin, por nuk e lëkundin përkushtimin e tij ndaj ekipit kombëtar.

“Njerëzit e dinë se kush jam. Unë jam i pari që kritikoj veten para se të kritikoj të tjerët. Do të gënjeja nëse do të thosha se kritikat më hyjnë në njërin vesh dhe më dalin nga tjetri. Më dhembin, sepse ka gjëra që nuk i kuptoj”, u shpreh ai.

Xhaka theksoi se ndihet krenar për kontributin e tij me fanellën e Zvicrës dhe për faktin se ka zhvilluar 148 ndeshje për kombëtaren.

“Zvicra mund të jetë krenare që ka një lojtar me 148 paraqitje, që luan me zemër dhe krenari për ngjyrat e vendit. E rëndësishme për mua është që skuadra qëndron pas meje. Unë jam këtu për sukses dhe do ta kërkoj atë për aq kohë sa do të jem pjesë e kësaj kombëtareje”, deklaroi ai.

Edhe trajneri Murat Yakin doli në mbështetje të kapitenit, duke thënë se periudha e fundit nuk ka qenë e lehtë për të.

“Pati shumë kritika pas barazimit të fundit, por Graniti mori përgjegjësinë si kapiten dhe udhëhoqi skuadrën drejt fitores. Kjo është ajo që presim prej tij”, tha Yakin.

Një nga protagonistët e ndeshjes ishte edhe Johan Manzambi, i cili u shpall lojtari i ndeshjes pas dy golave të shënuar.

“Është si një ëndërr. Të luaj në kualifikime për Botëror, të shënoj dy gola dhe të shpallem lojtari i ndeshjes. Sonte me siguri nuk do të mund të fle”, tha ai.

Falë kësaj fitoreje, Zvicra rikthehet në rrugën e suksesit dhe forcon pozitat e saj në garën për një vend në Kupën e Botës./Albinfo.ch