Kosova

Wesley Clark për dënimet në Hagë: Jam i shokuar dhe i zemëruar

Gjenerali amerikan në pension dhe ish-komandanti suprem i NATO-s për Evropën, Wesley Clark, ka reaguar ndaj dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se nuk ka parë dëshmi që, sipas tij, ta justifikojnë vendimin e Gjykatës Speciale.

Gjenerali amerikan Wesley Clark ka reaguar ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, përmes të cilit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim, raporton albinfo.ch.

Në një lidhje me emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Clark tha se ishte “i shokuar dhe i zemëruar” nga vendimi, duke theksuar se gjatë kohës së konfliktit në Kosovë kishte qenë në dijeni për zhvillimet dhe kishte dëshmuar edhe në procesin gjyqësor.

“Jam i shokuar dhe i zemëruar. Unë e njoh Thaçin dhe shokët e tij dhe të gjithë ata që kanë bërë luftën. Unë kam dëshmuar në gjyq, kam thënë se çfarë kam parë dhe e dija se çfarë po ndodhte në Kosovë dhe bashkëpunimin tonë me UÇK-në. Nuk kam parë asnjë dëshmi që të justifikojë këtë lloj vendimi”, tha Clark.

Sipas tij, vendimi i gjykatës do të krijojë një rrugë të vështirë për të ardhmen.

Clark për Thaçin: Bëri punë për mbrojtjen e popullatës serbe

I pyetur nëse kishte ndonjë element që përputhej mes konstatimeve të gjyqtarëve dhe asaj që ai kishte parë gjatë luftës, Clark u ndal te roli i Hashim Thaçit.

Ai tha se, sipas asaj që kishte parë dhe përvojës së tij gjatë konfliktit, Thaçi kishte bërë një punë të rëndësishme për mbrojtjen e popullatës civile serbe.

Clark tha se ishte takuar me Thaçin tri herë gjatë periudhës së konfliktit, përfshirë edhe në Rambuje, ndërsa më pas kishte pasur takime edhe gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.

“Me aq sa di, këto dëshmitë sekrete që edhe vetë nuk më treguan asnjë dëshmi nga prokuroria, nuk do të më bënin që të ndryshoja mendimin tim”, u shpreh ai.

Duke folur për situatën gjatë luftës, Clark e përshkroi UÇK-në si pjesë të një rebelimi kundër regjimit të atëhershëm serb dhe foli për krimet individuale të kryera ndaj shqiptarëve.

Ai tha se gjatë konfliktit kishte pasur tensione të forta mes komuniteteve, përfshirë edhe raste kur shqiptarët ishin ndier të tradhtuar nga fqinjët serbë me të cilët kishin jetuar më parë.

Clark shtoi se, bazuar në atë që kishte parë, nuk e konsideronte Thaçin si person që duhej të dënohej për krime lufte.

Deklaratat e tij vijnë pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së./Albinfo.ch