Lajme
Vetëvrasjet në rritje tek të moshuarit në Zvicër

Zvicra po përballet me një realitet të heshtur, por gjithnjë e më të pranishëm: numri i vetëvrasjeve në mesin e të moshuarve ka arritur nivele rekord. Sipas një analize të fundit, kjo rritje lidhet kryesisht me përhapjen e vetëvrasjeve të asistuara – një praktikë e ligjshme në vend që nga viti 1942, por që ende ngjall ndarje të thella emocionale dhe morale, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.
Në vitin 2023, personat mbi moshën 85 vjeç kryen vetëvrasje 42 herë më shpesh se pjesa tjetër e popullsisë. Kjo shifër është katërfishuar në 25 vitet e fundit për këtë grupmoshë. Për moshat 65–84 vjeç, vetëvrasjet janë dyfishuar. Në të njëjtën kohë, te të rinjtë, norma e vetëvrasjeve ka rënë me rreth 30%.
Një vështrim më i thelluar në shifra tregon se vetëvrasjet e asistuara përbëjnë shumicën dërrmuese të këtyre rasteve. Tek të moshuarit 65–84 vjeç, 80% e vetëvrasjeve janë të asistuara. Për ata mbi 85 vjeç, kjo përqindje ngjitet në mbi 90%.
Shoqatat si Exit Suisse Romande, të cilat ofrojnë mbështetje për vdekje të asistuar, luajnë një rol të madh në këtë trend. Fillimisht e kufizuar për pacientët terminalë, Exit që nga viti 2014 ka zgjeruar kriteret për të përfshirë edhe persona me sëmundje kronike, por jo domosdoshmërisht vdekjeprurëse.
Anne, një grua 67-vjeçare nga Zvicra dhe anëtare e Exit, rrëfen për RTS se ajo e sheh vetëvrasjen si një zgjedhje të menduar që nga rinia. “Të vdesësh është liri”, thotë ajo. Por ajo e pranon se bisedat për këtë temë shpesh shkaktojnë shqetësim tek të tjerët, transmeton albinfo.ch.
Sipas prof. Pierre Vandel, psikiatër në CHUV, “një person mund të zgjedhë vetëvrasjen e asistuar pa qenë i pushtuar nga mendime vetëvrasëse”. Megjithatë, ai thekson se depresioni dhe izolimi social janë shkaqet kryesore të vetëvrasjeve të paasistuara tek të moshuarit – çka ngre pyetje për motivet pas shumë vetëvrasjeve të asistuara.
Në anën tjetër, Jean-Jacques Bise, bashkëpresident i Exit Suisse Romande, e mbështet vetëvendosjen si një të drejtë themelore: “Neni 10 i Kushtetutës garanton lirinë personale. Është e drejta juaj të zgjidhni si të vdisni. Kjo është liria përfundimtare.”
Ai shpjegon se shumë nga të moshuarit që i drejtohen Exit-it, nuk janë të dëshpëruar nga jeta, por përballen me sëmundje që u zvogëlojnë dinjitetin. Sipas tij, vetëvrasja e asistuar nuk duhet ngatërruar me vetëvrasjen patologjike.
Shifrat e reja ngrenë një pyetje të thellë sociale dhe etike: A është vetëvrasja e asistuar një akt lirie apo një sinjal i dështimit për të mbështetur të moshuarit në fundin e jetës së tyre?
Për momentin, kufiri mes vetëvrasjes së asistuar dhe asaj të paaistuar mbetet i paqartë. Kurbat statistikore tregojnë një zhvendosje progresive nga vetëvrasjet e dëshpëruara në ato të asistuara, veçanërisht që nga vitet 2010, transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
I kërkuar nga drejtësia italiane, shqiptari arrestohet në një autobus turistik në Gjermani Sipas mediave të huaja, gjatë kontrollit, policia zbuloi se shqiptari ishte në kërkim nga autoritetet italiane. ...
-
Magjia e ngjyrave të shkrira në pikturat e saj ekspozohet në „Armaturen Flamatt“
-
Diamant Hysenaj ka shpallur kandidaturën për Kongresin Amerikan
-
Inxhinierja shqiptare diplomon në MIT, një tjetër histori suksesi nga Amerika
-
Përjetime të paharrueshme të nxënësve shqiptarë nga Zvicra në atdhe
Jeta në Austri
-
Austri: Këshilli Kombëtar prezanton klasa orientimi për fëmijët migrantë Këshilli Kombëtar i Austrisë ka miratuar futjen e klasave orientuese për fëmijët emigrantë të sapoardhur. Projektligji...
-
Fuqia punëtore e Austrisë do të tkurret për 24% deri në vitin 2060
-
Për herë të parë, fluturime direkte Prishtinë–Salzburg–Prishtinë
-
Udhëtim rekord me tren në Austri: Rreth 350 milionë pasagjerë në vitin 2024
-
Austri: Nga viti 2026, mbrojtje më e fortë për punonjësit ndaj të nxehtit ekstrem