Futboll
UEFA pezullon kërcënimin për bojkot ndaj FIFA-s, por përgatit hapa ligjorë kundër Infantino-s
UEFA ka pezulluar për këtë sezon kërcënimin për të bojkotuar garat e organizuara nga FIFA, por përplasja me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, nuk ka përfunduar. Organizata evropiane po përgatit një procedurë ligjore ndaj tij, duke e akuzuar për keqmenaxhim.
UEFA ka hequr përkohësisht nga tavolina kërcënimin për bojkot të garave të FIFA-s, por ndërkohë ka hapur një front të ri ligjor kundër presidentit të organizatës botërore të futbollit, Gianni Infantino.
Sipas një kërkese prej 60 faqesh, të siguruar nga AFP, UEFA synon të përdorë dokumentet e marra përmes një procedure në Florida për të mbështetur një proces të mundshëm në gjykatat zvicerane kundër Infantino-s dhe, potencialisht, zyrtarëve apo këshilltarëve të tjerë të FIFA-s.
UEFA akuzon Infantino-n për keqmenaxhim
UEFA synon të ngrejë një çështje për keqmenaxhim ndaj presidentit të FIFA-s, vepër që, sipas legjislacionit zviceran, mund të dënohet me deri në pesë vjet burg. Për të vërtetuar një akuzë të tillë duhet të provohet se i akuzuari ka dëmtuar qëllimisht interesat e FIFA-s.
Në qendër të pretendimeve të UEFA-s është plani i Infantino-s për të transferuar të ardhurat e Kupës së Botës në një kompani të hapur ndaj investitorëve privatë.
FIFA e kishte prezantuar këtë projekt në fund të korrikut si një mënyrë për të “çliruar potencialin komercial” të kompeticionit të saj kryesor. Megjithatë, pas kritikave të shumta, plani u braktis.
Sipas UEFA-s, projekti ishte në të vërtetë një mekanizëm që do t’i mundësonte Infantino-s dhe një rrethi të ngushtë bashkëpunëtorësh, përfshirë Joshua Kushner, vëllain e dhëndrit të Donald Trump, të siguronin një interes të përhershëm në asetet më të vlefshme të FIFA-s dhe të përfitonin prej tyre, në dëm të FIFA-s, federatave anëtare dhe aktorëve të tjerë të futbollit.
UEFA tërhiqet nga bojkoti, të paktën për këtë sezon
Hapi ligjor i UEFA-s vjen në një moment kur presioni politik ndaj Infantino-s është zbutur.
UEFA dhe 55 federatat e saj anëtare, të mbledhura në Monako për shortin e Ligës së Kampionëve, kanë hequr dorë nga kërcënimet për të bojkotuar garat e FIFA-s, të paktën gjatë këtij sezoni.
Sipas disa burimeve, kërcënimi për bojkot, i cili fillimisht synonte të përshpejtonte largimin e Infantino-s, ishte bërë gjithnjë e më i vështirë për t’u zbatuar me afrimin e Kupës së Botës U-20 për femra, që do të zhvillohet në Poloni nga 5 deri më 27 shtator.
Infantino, pavarësisht thirrjeve për dorëheqje, vazhdon të mbajë postin dhe aktualisht mbetet kandidati i vetëm zyrtar për një mandat të ri, në zgjedhjet e parashikuara për 18 mars.
Arabia Saudite rreshtohet në krah të Infantino-s
Ndërkohë, Federata Saudite e Futbollit ka shprehur mbështetjen e saj për Gianni Infantino-n.
Në një deklaratë, federata saudite mirëpriti “pranimin e gabimeve, kërkimfaljen dhe vendimin për të mos ndjekur më tej propozimin” për përfshirjen e investitorëve privatë, duke i cilësuar këto si hapa të rëndësishëm.
Federata Saudite deklaroi gjithashtu mbështetjen për Infantino-n në përpjekjet për të “rikthyer unitetin brenda familjes së futbollit dhe për të vazhduar zhvillimin e këtij sporti në interes të të gjithëve”.
Përplasja mes UEFA-s dhe drejtimit të FIFA-s, megjithatë, mbetet e hapur. Nëse procedura ligjore e UEFA-s përparon në gjykatat zvicerane, ajo mund ta zhvendosë konfliktin nga arena politike dhe sportive në atë gjyqësore.
E-Diaspora
-
Aurela Gaçe për albinfo.ch: Në janar 2027 mes shqiptarëve në Zvicër Në prag të dy koncerteve, Aurela Gaçe flet për albinfo.ch për rikthimin në Zvicër, marrëdhënien e... -
Ideja Bajra, shqiptarja që po spikat në fushën e Inteligjencës Artificiale në Britani -
Bern
“Ku janë të gjithë?” – Kino Kosova Film Festival rikthehet me edicionin e shtatë në Bernë -
Bruksel
19-vjeçari shqiptar pyet në Bruksel: Si tolerohet Serbia pas glorifikimit të Mlladiqit? -
Ramë Dardania merr pjesë në festivalin ndërkombëtar të artit, në Kotor
Jeta në Austri
-
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht Në Vjenë, nevoja për mbështetje në gjuhën gjermane është e lartë. Në të gjithë Austrinë, kjo... -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?













