Bota

U detyrua të bënte 200 squats (ulje-ngritje) në punë, 29-vjeçarja përfundon në spital

Punonjësja në Kinë u ndëshkua pasi nuk arriti objektivat ditore, më pas u diagnostikua me rabdomiolizë

Një 29-vjeçare në Kinë ka përfunduar në spital pasi menaxheri i kompanisë ku punonte e detyroi të kryente 200 squats si ndëshkim për mosrealizimin e objektivave ditore.

Ngjarja ka ndodhur në Hangzhou, në provincën Zhejiang, ku e reja me mbiemrin Yang kishte nisur punën si këshilltare financiare në një kompani që merrej me asistencë për kredi, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve, punonjësve u kërkohej çdo ditë të realizonin 200 telefonata, të ftonin një klient dhe të siguronin të paktën një klient potencial. Pasi Yang nuk arriti dy prej objektivave, iu dha mundësia të paguante një gjobë ose të kryente ushtrime fizike.

Ajo zgjodhi të bënte 200 squats dhe filmoi veten gjatë ushtrimeve si dëshmi për menaxherin. Pas përfundimit të tyre pati dhimbje të forta dhe vështirësi në ecje.

Pesë ditë më vonë, pasi vërejti se urina i ishte errësuar, ajo kërkoi ndihmë mjekësore dhe u diagnostikua me rabdomiolizë, një gjendje që mund të shkaktojë dëmtime serioze të veshkave.

Yang më pas e la punën dhe kërkoi kompensim nga kompania, ndërsa rasti është paraqitur te inspektorët lokalë të punës.