Një avion i kompanisë ajrore SWISS, që po kryente fluturimin LX16 nga Cyrihu drejt Nju Jorkut, u detyrua të bënte ulje emergjente në aeroportin ndërkombëtar të Bangor, në shtetin amerikan të Maine, pasi gjatë fluturimit u raportua prani tymi në kabinë.
Sipas kompanisë SWISS, ekuipazhi vendosi ta devijojë fluturimin si masë paraprake për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe të stafit. Avioni u ul pa incidente dhe të gjithë personat në bord dolën të sigurt, përcjell albinfo.ch.
Pas uljes, pasagjerët u transferuan në një tjetër avion për të vazhduar udhëtimin drejt destinacionit të tyre në Nju Jork. Kompania bëri të ditur se po heton shkakun e shfaqjes së tymit në kabinë, ndërsa avioni është tërhequr për kontrolle teknike të detajuara.
Rasti shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa të dhënat e Flightradar24 tregojnë se avioni humbi mbi 22 mijë metra lartësi brenda pak minutash, një tregues se ekuipazhi e trajtoi situatën me seriozitet të lartë.
SWISS nuk ka raportuar për persona të lënduar dhe ka falënderuar ekuipazhin për reagimin profesional, duke theksuar se siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor.