Skip to content

Tridhjetë të arrestuar në Itali, Spanjë dhe Zvicër në një operacion kundër mafias

Operacioni ndërkombëtar çoi në shkatërrimin e një organizate kriminale të dyshuar për pastrim parash, evazion fiskal, trafik droge dhe vepra penale që lidhen me armët. Autoritetet sekuestruan para dhe pasuri me vlerë mbi 21 milionë euro.

Tridhjetë persona të dyshuar janë arrestuar në Itali, Spanjë dhe Zvicër, në kuadër të një operacioni kundër mafias. Gjatë aksionit janë sekuestruar para dhe pasuri me vlerë të përgjithshme mbi 21 milionë euro, përkatësisht rreth 19.5 milionë franga zvicerane, raportoi të mërkurën agjencia italiane e lajmeve ANSA, transmeton albinfo.ch.

Operacioni u zhvillua pas një hetimi të kryer nga Policia Financiare e Milanos, i cili çoi në çmontimin e një organizate kriminale të dyshuar për përfshirje në pastrim ndërkombëtar të parave, mashtrim tatimor, trafik droge dhe vepra penale që lidhen me armët.

Arrestime janë kryer edhe në Spanjë dhe Zvicër, ndërsa kontrolle janë zhvilluar në disa provinca të Italisë. Në operacion kanë marrë pjesë më shumë se 350 pjesëtarë të Policisë Financiare italiane, krahas njësive speciale dhe grupit policor për ndërhyrje kundër terrorizmit. Sipas raportimit, operacionet ishin ende në zhvillim të mërkurën.

Aksionet në Spanjë dhe Zvicër po zhvillohen me mbështetjen e njësisë I-CAN (Bashkëpunimi i Interpolit kundër organizatës mafioze ’Ndrangheta), në kuadër të Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e sigurisë nga Drejtoria Qendrore e Shërbimeve të Policisë Gjyqësore, me seli në Madrid dhe Bernë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar para të gatshme, llogari bankare, kriptovaluta, automjete, anije, bizhuteri, ora luksoze dhe makina për numërimin e kartëmonedhave.