Lajme

Tre mërgimtarë nga Kosova humbin jetën në një aksident tragjik në Gjermani

Një aksident i rëndë trafiku në Gjermani ka marrë jetën e tre personave nga Kosova, të cilët po udhëtonin drejt shtetit ku jetonin, pas qëndrimit në vendlindje.

Lajmin për vdekjen e tyre e ka bërë të ditur një bashkëvendës përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Sipas njoftimit, viktimat janë T.A., G.A. dhe L.A., nga Komogllava e Ferizajt.

Në mesazhin e publikuar shprehet dhimbje e madhe për humbjen e tyre, duke iu dërguar ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo tragjedi.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se ka ndodhur një aksident me pasoja tragjike në Gjermani, gjatë kthimit nga Kosova të vëllezërve tanë”, thuhet në njoftimin e publikuar.

Deri në këto momente, autoritetet gjermane ende nuk kanë dhënë informacione zyrtare për shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.