Një ngjarje tragjike ka ndodhur të martën në mbrëmje në Wattwil, në kantonin St. Gallen, ku policia ka gjetur të vdekur një burrë dhe një fëmijë të moshës dy vjeç e gjysmë, transmeton albinfo.ch.
Sipas Policisë Kantonale të St. Gallenit, autoritetet fillimisht kishin pranuar një denoncim në qytetin e St. Gallenit, pasi babai, i cili jetonte i ndarë nga nëna e fëmijës, nuk e kishte kthyer djalin te ajo në kohën e dakorduar.
Pas hetimeve dhe kërkimeve, policia i gjeti të dy të vdekur në një objekt akomodimi në Wattwil, në orët e vona të mbrëmjes.
Rrethanat në vendngjarje bëjnë të dyshohet se 33-vjeçari e ka vrarë djalin me armë zjarri dhe më pas ka kryer vetëvrasje me të njëjtën armë.
Të dy viktimat ishin shtetas kroatë me vendbanim në kantonin St. Gallen. Policia, nën drejtimin e Prokurorisë së kantonit, ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Rasti po trajtohet si vrasje e ndjekur nga vetëvrasja e autorit. /Albinfo.ch