Bota

Tornado godet Cremonën në Itali, dëme të mëdha në qytet

Erërat e forta dhe breshëri dëmtuan Katedralen, ndërtesën e komunës dhe qindra automjete

Një trombë ajri e fuqishme ka goditur Cremonën në veri të Italisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesa, automjete dhe infrastrukturë.

Fenomeni është shoqëruar me breshër dhe erëra shumë të forta, ndërsa ndër objektet e dëmtuara janë edhe Katedralja e Cremonës dhe Palazzo Comunale, përcjell albinfo.ch.

Nga Katedralja është dëmtuar mbulesa e një prej majave, ndërsa nga ndërtesa komunale është dëmtuar çatia e kullës qytetare. Ekipet e zjarrfikësve kanë vazhduar ndërhyrjet për sigurimin e objekteve dhe largimin e pengesave të krijuara nga stuhia.

Reshjet e dendura kanë përmbytur disa nënkalime dhe kanë vështirësuar qarkullimin, ndërsa erërat kanë rrëzuar pemë dhe kanë dëmtuar çati. Qindra automjete kanë pësuar dëme nga breshëri.

Moti i keq ka përfshirë edhe pjesë të tjera të veriut të Italisë. Në provincat përreth janë raportuar breshër i madh, dëme në bujqësi dhe ndërhyrje të shumta të zjarrfikësve.