Lajme

Tetë kompani nga Kosova do të marrin pjesë në panairin “DMEXCO 2022” në Këln

DMEXCO (Digital Marketing Exposition & Conference) është panairi më i madh në Evropë që organizohet për sektorin e IT-së

Tetë kompani nga Kosova që merren me teknologji informative do të marrin pjesë në panairin “DMEXCO 2022”, i cili do të mbahet në Këln të Gjermanisë, më 21 dhe 22 shtator, shkruan albinfo.ch.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka siguruar hapësirën ekspozuese në këtë panair për kompanitë nga vendi ynë: UBT SH.P.K, SKINS AGENCY, GROWZILLAS, LINK PLUS IT, TACTICA, DIGITAL STATION, HALLAKATE SH.P.K dhe DUNE SOLUTIONS L.L.C, të cilat përpos që do të promovojnë produktet e tyre, do të marrin pjesë edhe në sesionet informuese në panair, si dhe do të zhvillojnë takime B2B, me synim të gjetjes së tregjeve të reja për produktet e tyre.

DMEXCO (Digital Marketing Exposition & Conference) është panairi më i madh në Evropë që organizohet për sektorin e IT-së, në të cilin marrin pjesë kompanitë me të mëdha botërore si: Google, Yahoo, DHL etj.

Këtë panair pritet ta vizitojnë më shumë se 20 mijë profesionistë të biznesit dixhital, marketingut dhe inovacionit.

Shtandi i Kosovës në këtë panair ka një hapësirë prej 80 m2 dhe gjendet në Hall 07.1 me numër B-041.

Ndërkohë, në Dyseldorf të Gjermanisë më 23 shtator 2022 do të mbahet edhe sesion informues: “Mjedisi i biznesit dhe klima e investimeve në Kosovë”, i cili është organizuar nga MINT/KIESA.

Në këtë sesion informues, bizneset nga diaspora do të njoftohen mbi mjedisin e biznesit dhe klimën e investimeve në Kosovë nga përfaqësues të KIESA-s, Administratës Tatimore, Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe Doganës së Kosovës.

Po ashtu në kuadër të sesionit janë paraparë takime B2B ku kompanitë kosovare pjesëmarrëse në panairin “DMEXCO” të sektorit të IT-së do të kenë rastin që të takohen me kompanitë e diasporës për të shikuar mundësitë për bashkëpunime eventuale.

Gjermania është një ndër partnerët kryesorë të Kosovës, si në fushën e IHD-ve, ashtu edhe në fushën e shkëmbimeve tregtare. Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, IHD-të nga Gjermania për periudhën janar – qershor 2021 ishin 55.5 milionë euro, kurse nga janari deri qershor të vitit 2022 janë 101.2 milionë euro, ku reflektohet një ngritje e investimeve për 82.34%. Ndërsa eksporti i mallrave të Kosovës në Gjermani për periudhën janar – korrik 2021 ishte 30.9 milionë euro, kurse nga janari e deri në korrik të vitit 2022 është 46.6 milionë euro, me ç’rast edhe këtu reflektohet trendi pozitiv i ngritjes se eksportit me shtetin gjerman në shkallën prej 50.8%.