Lajme
Surroit ia djegin veprën “Këmbët e Gjarprit”
Libri i publicistit Veton Surroit, i cili ironizon disa nga ish-guerilët e UÇK-së është djegur nga disa veteranë të luftës. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i autorit
Ish-veteranë të luftës së UÇK-së e kanë djegur të mërkurën në Ferizaj librin e fundit të publicistit Veton Surroit “Këmbët e Gjarprit”, i cili ironizon disa nga ish udhëheqësit e luftës së UÇK-së. Libri i tij është djegur si “libër herezie”, ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i autorit.
“..një herë i djegin librat, pastaj i veshin këmishët e zeza…”, shkruan Surroi në rrjetin facebook.
Pjesëtarë të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, pas homazheve që bënë në Varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj, me rastin e përvjetorit të rënies së dëshmorit Nazmi Uksmajli, dogjën këtë libër me pretekstin se “autori i këtij libri mohon luftën çlirimtare të UÇK-së, fyen dhe përgojon pjesëmarrësit e kësaj lufte”.
Kryetari i OVL-së të UÇK për Ferizaj, Nazmi Krasniqi, siç citohet nga disa medie, ka thënë se “djegia e këtij libri është simbolike. OVL-ja nuk do të ndalet dhe do t’i mbrojë vlerat e kësaj lufte të pastër që bëri UÇK-ja”.
Ndërsa i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Komunës së Ferizajt. Kryetari i komunës, Muharrem Sfarqa ka thënë se Komuna e Ferizajt nuk guxon të identifikohet si qytet libërdjegës.
“Kreu i Ferizajt, Muharrem Svarqa dhe drejtori i Drejtorisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit i kësaj komune, Enver Haliti, e kanë marrë sot me shqetësim njoftimin se një grup individësh, dogjën publikisht një libër të publicistit Veton Surroi, në hapësirën e Varrezës së Dëshmorëve”, thuhet në reagimin e Komunës.
Përmes këtij njoftimi udhëheqja komunale ka sqaruar se nuk është në dijeni për motivin e këtij veprimi, mirëpo pavarësisht kësaj, kundërshton me forcë djegien e librave, një dukuri kjo e nisur gati 30 vjet më parë nga regjimi totalitar dhe, për fat të keq, e vazhduar pas luftës së paku edhe me tri veprime të tilla, nga individë të ndryshëm.
“Kreu i Ferizajt shfaq brengosjen e thellë që individë të caktuar kanë zgjedhur rrugën më të paarsyeshme për t’iu kundërvënë përhapjes së mesazheve me anë të librave, në vend se një gjë e tillë të bëhet përmes debateve të hapura. Debati, edhe rreth përmbajtjes së librave, është vlerë e qytetërimit bashkëkohor, kurse djegia e librave është veprim anticivilizues i regjimeve tashmë të tejkaluara”, thuhet më tej në reagim.
Po ashtu udhëheqja komunale e Ferizajt fton qytetarët e kësaj komne që t’i braktisin veprimet e kohës së inkuizicionit e të nazizmit dhe në vend të tyre të gjejnë forma të tjera të komunikimit, sepse vetëm kështu mund të gjejnë përgjigje adekuate për secilën çështje që i mundon.
“Nuk guxojmë që Ferizajn ta identifikojmë si qytet libërdjegës, nëse tashmë nuk është identifikuar si i tillë”, thuhet në fund të reagimit.
Ndryshe, tri dekada më parë në Ferizaj ishte djegur edhe një libër tjetër i konsideruar si “kontrarevolucionar”. Libri ishte djegur me vendim të gjykatës së atëhershme komuniste.
Libri “Këmbët e Gjarprit” i autorit Veton Surroi, ironizon katër profesorët e historisë, tre nga të cilët kanë qenë udhëheqës të luftës në Kosovës, përfshirë këtu ish udhëheqësin Hashim Thaçin. Ky i fundit gjatë luftës e ka mbajtur epitetin “Gjarpri”.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Danimarkë
Një tjetër sukses akademik nga Danimarka: Marigona Luma diplomon në Universitetin e Kopenhagës 24-vjeçarja me prejardhje nga Kaçaniku përfundoi studimet master në Drejtësi në Universitetin e Kopenhagës, duke kurorëzuar... -
Nikol Tuka shkëlqen në koncertin dedikuar Beethoven-it me Orkestrën Simfonike të RTSH-së -
Austria
Liridon Hoti diplomon Master në Filozofi në Vjenë -
7-vjeçari nga Kosova përfundon me sukses programin HarvardX për programim -
Islandë
Nga Kosova në Islandë: Historia e suksesit e vëllezërve Dardan dhe Armend Zogaj
Jeta në Austri
-
Austria
Liridon Hoti diplomon Master në Filozofi në Vjenë Punimi i tij shkencor mbi konceptin e lirisë sipas Erich Fromm u vlerësua me çmim dhe... -
Miki Ramadani kandidate e Partisë Komuniste për Këshillin Komunal në Graz -
Shqiptarët protestojnë sërish në Vjenë: “Jemi në mbështetje të popullit në Shqipëri” -
Skanerët e rinj të aeroportit të Vjenës lejojnë lëngjet deri në dy litra -
Më pak se 50% i kalojnë provimet e integrimit A2/B1 të Austrisë












