Tematike
Sulejman Krasniqi, shkrimtari me shpirt rebelues
"Në fëmijërinë time nuk pati nevojë të më yshtnin kundër së keqes përmes përrallave, legjendave e gojëdhënave"
Të shtunën që shkoi, në Bernë, është mbajtur një mbrëmje përkujtimore për shkrimtarin dhe atdhetarin e shquar, Sulejman Krasniqi, i cili ka ndërruar jetë kohë më parë në Tiranë. Në këtë kuadër është bërë edhe promovimi post mortem i romanit të tij autobiografik “Jetëshkrim”.
Në këtë mbrëmje përkujtimore ishin të pranishëm edhe familjarët e shkrimtarit të ndjerë, pastaj një numër krijuesish shqiptarë me qëndrim në Zvicër, njohës të tij si dhe ambasadorët e Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë.
Mbrëmjen e drejtoi gazetari dhe veprimtari Ismet Rashiti ndërsa fjalën lidhur me romanin e promovuar e mbajti veprimtarja Saime Isufi.
Znj. Isufi i kishte bërë një analizë të gjerë librit “Jetëshkrim”, duke e ndërlidhur atë edhe me të dhëna të tjera nga jeta dhe vepra e Krasniqit. Rruga jetësore përplot peripeci e shkrimtarit dhe atdhetarit Sulejman Krasniqi kishte nismën e saj që në fëmijërinë e tij. Nisur nga zhdukja në mënyrë misterioze e të atit dhe nga shtypja që përjetonin shqiptarët nga regjimi serb, “në fëmijërinë time nuk pati nevojë të më yshtnin kundër së keqes përmes përrallave, legjendave e gojëdhënave”, citon Isufi autorin.
Krasniqi që në fëmijëri bie në kundërshtim me pushtetin e atëhershëm dhe në moshë të mitur burgoset. Pas kësaj te ai piqet mendimi për tu arratisur në “tokën mëmë”, në Shqipëri. Edhe shkuarja në vendin e ëndrrave të tij dhe të rinisë idealiste të Kosovës, nuk e shpëton Sulën, siç e quanin miqtë, nga problemet. Shpirti i tij rebelues dhe jokonformist e bën të bjerë në situata të rënda, që e çojnë atë edhe në kampe të ndryshme internimi. Por, falë këmbënguljes dhe talentit të tij të madh, “Balzaku shqiptar” siç e cilësojnë Sulejman Krasniqin, do t`ia dalë që të fitojë statusin e “shkrimtarit të lirë” në Shqipëri.
Në një fjalë të rastit, ambasadori i Shqipërisë, Mehmet Elezi evokoi kujtimet për shkrimtarin Krasniqi nga koha kur, siç u shpreh z. Elezi, “të ardhurit nga Kosova – kështu quheshin të gjithë ata që vinin nga trojet shqiptare të ish Jugosllavisë – përballeshin me zhgënjim për vendin e ëndrrave të tyre.
Ambasadori i Maqedonisë Ramadan Nazifi ka folur për rëndësinë që ka pasur vepra e Krasniqit në formësimin e idealit kombëtar te të rinjtë në të gjitha trojet shqiptare.
Në këtë mbrëmje u lexua letra përshëndetëse e simbolit të rezistencës nga Kosova, Adem Demaçi. Në pamundësi për të qenë i pranishëm, ai ka përshëndetur organizatorët dhe ka thënë fjalë respekti për shklrimtarin dhe atdhetarin Sulejman Krasniqi. Një letër përshëndetjeje kishte dërguar edhe deputetit Hydajet Hyseni.
Aktorja Liri Lushi, në një paraqitje shumë mbresëlënëse prezantoi pjesë nga vepra “Oso Kuka” e Sulejman Krasniqit. Ajo po kështu evokoi edhe kujtime nga njohja e saj me shkrimtarin e ndjerë, i cili kishte gëzuar respekt edhe në qarqet e artistëve në Shqipëri.
Fjalë mirënjohjeje e respekti për shkrimtarin e ndjerë, Sulejman Krasniqi folën edhe krijuesi Brahim Avdyli, veprimtari Rexhep Bajrami dhe kryetari i shoqatës së artistëve shqiptarë të Zvicrës, Besnik Camaj. Ky i fundit lexoi edhe një fragment nga krijimtaria e Krasniqit.
E ngarkuar me emocione dhimbjeje e krenarie ishte paraqitja e bashkëshortes së Sulejman Krasniqit, Mira Krasniqi. Ajo u përpoq të pasqyronte jetën me krajata që kishte bërë shkrimtari i shquar në Shqipëri. Pastaj foli për mallin e madh të tij për vendlindjen në Kosovë, për çmalljen që përfundimisht e përjetoi kur, pas dyzet vitesh mundi të shkelte tokën e Kosovës.
Në shenjë nderimi për familjen e shkrimtarit, bashkëshortes së tij iu dhurua një mirënjohje dhe një tufë lulesh.
Në përmbyllje u shfaq një dokumentar mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit dhe atdhetarit Sulejman Krasniqi.
E-Diaspora
-
Detaje nga rasti kur një shtetas nga Kosova vrau pronarin e biznesit në Dyseldorf Një vrasje me armë zjarri është regjistruar dje në qytetin e Dyseldorfit në Gjermani. Mësohet se...
-
Arnold “The Cobra” Gjergjaj triumfon në luftën e fundit
-
Nju-Jork: Baleti Kombëtar i Kosovës me dy shfaqje
-
Belgjikë: Kori “Siparantum” do të dhuroj paraqitje dinjitoze
-
Çikago: Pianistja Anila Aliu, me koncert recital
Jeta në Austri
-
Gjithçka që ndryshon në Austri nga muaji maj Nga grevat dhe protestat, deri te festat publike (që janë shumë), këtu janë gjërat që do...
-
Katër liqene të bukura, tek të cilat mund të shkoni lehtësisht nga Vjena me transport publik
-
Sa vite duhet të punoni në Austri që të keni të drejtën e pensionit?
-
Austrian Airlines arrin marrëveshje pagash me punëtorët për të shmangur grevat e reja
-
Katër gjëra që duhet të dini para se të regjistroni fëmijën tuaj në një kopsht fëmijësh në Vjenë