Lajme

Studimi: Në Cyrih tashmë është më lirë të jetosh me qira sesa të blesh banesë

Çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm në dy dekadat e fundit, ndërsa qiramarrësit afatgjatë përfitojnë nga qira më të ulëta.

Blerja e një banese në Cyrih nuk është më domosdoshmërisht më ekonomike sesa jetesa me qira. Ky është përfundimi i një studimi të realizuar nga Banka Kantonale e Cyrihut (ZKB), përcjell albinfo.ch.

Sipas studimit, megjithëse të dyja opsionet mbeten të kushtueshme, posedimi i një banese nuk ofron më përparësinë financiare që kishte dikur, veçanërisht në krahasim me qiramarrësit që jetojnë prej shumë vitesh në të njëjtën banesë.

Ekspertët shpjegojnë se qiramarrësit afatgjatë përfitojnë nga i ashtuquajturi “bonus i qëndrimit”, që u mundëson të paguajnë qira më të ulëta se çmimet aktuale të tregut.

Ndërkohë, çmimet e banesave në Cyrih janë rritur ndjeshëm. Sipas studimit, ato janë rreth dy herë e gjysmë më të larta se sa ishin para 20 vitesh, duke e bërë blerjen gjithnjë e më pak të përballueshme për shumë familje. /Albinfo.ch