Integrimi

Simpoziumi i LMSHZ-së, një sukses që po tërheq vëmendjen e shumë mjekëve shqiptarë në Zvicër

Kur mjekët tërheqin vëmendjen e mjekëve, atëherë kemi të bëjmë me një event të përmasave elitare, ku prezenca dhe mundësia për të referuar kthehet në privilegj.

Kështu e me këtë vëmendje kishte nisur punën të shtunën në mesditë Simpoziumi i Dytë i akredituar i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, i cili është i një rëndësie të veçantë për mbi 120 pjesëmarrësit dhe referentët e akredituar.

Simpoziumi kishte për temë insufiencën e organeve si sfidë për specialistët e mjekësisë si dhe prezantimin e metodave optimale në trajtimin e sëmundjeve si pasojë e kësaj pamjaftueshmërie.  Ligjëruesit kanë shkëmbyer përvojat e tyre para një audience të gjerë në formë interaktive, duke prezantuar gjetjet e reja mbi diagnostikimin dhe trajtimin e insuficiencës apo pamjaftueshmërisë së organeve. Prezantimet janë pasuar me debat e pyetje mbi përvojat e mjekëve në degët ku ata janë të specializuar.

Fokusi i Simpoziumit të Dytë të LMSHZ-së kishte për qëllim identifikimin e strategjive të reja, diagnostikimin e hershëm të tyre dhe ofrimin e terapisë adekuate për pacientët.

«Insuficienca e organeve paraqet një sfidë të madhe në mjekësi. Në qoftë se diagnoza nuk vendoset shpejt dhe terapia nuk fillon herët, insuficienca e një organi mund të çojë në dështim të shumë organeve. Dështimi i shumë organeve ka një shkallë të lartë vdekshmërie dhe për këtë arsye kërkon kujdes intensiv mjekësor me monitorim të vazhdueshëm të funksioneve jetësore», ishte konstatimi i mjekëve ligjërues.

Paraqitja e parë ishte rezervuar për kryetaren e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, Dr. Marsela Ceno

Simpozium i drejtohej një auditori të gjerë me qëllim promovimin e një bashkëpunimi të mirëfilltë dhe të domosdoshëm të komunitetit mjekësor në Zvicër e më gjerë. Në këtë kuadër paraqitja e parë ishte rezervuar për kryetaren e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, Dr. med. Marsela Ceno, kirurge viscerale, e cila ka ligjëruar mbi insuficiencën nga perspektiva e kirurgjisë viscerale.

«Falë përparimeve në diagnostikën mjekësore dhe terapisë multimodale, sot pacientët me insuficiencë ekzistuese apo në zhvillim kanë shanse më të mira të mbijetesës», thekson anëtarja e kryesisë së LMSHZ-së, mjekja psikiatre,  Valbona Miftari, e cila e sheh  këtë simpozium si mudësi të shkëlqyer për të shkëmbyer përvojat e punës, por edhe për t’u njohur mjekët mes veti,  nga ku më vonë do të mund të shkëmbenin ide për një trajtim sa më adekuat të pacientëve të prekur nga insuficienca.

Doktor Valbona Miftari ndryshe është promotori i organizimit dhe realizimit të simpoziumit. Ajo bashkë me stomatologun, Gazmend Haliti, kanë punuar që ky simpozium të jetë më nivelin më të lartë akademik të organizimit dhe paraqitjeve të referentëve

Siç kishin rastin të pranishmit të njiheshin me ekoluencën shpjeguese të angiologut të njohur të spitalit të Winterthurit, Dr. Naim Mehmetin, dhe kirurgun vaskular, Kujtim Veseli. Me të cilët simpoziumi po shkonte drejt një interkativiteti më të thellë me pyetje e debate sfiduese mes mjekëve që po kërkonin të mësonin dhe të tregonin njëkohësisht përvojat më efiçiente të ballafaqimit me pacientë të prekur nga insuficienca.

Me insuficiencën neurokognitive apo siç njihet në përditshmëri, demenca, ka ligjëruar Dr. Vita Sulaj, psikiatre dhe psikoterapeute. Për t’i lënë më pas radhën e gjatë të ligjërimit Dr. Sead Abazit -specializant i kirurgjisë maksillofaciale. Kurse për trajtimin endodontik ka ligjëruar stomatologu Sali Mehmeti.

Sesionin e dytë, pas një pushimi që kishte paraparë një dietë të lehtë, si pjesë e rifresikimit të një dite të nxehtë e me ligjërata të gjata, e hapi kirurgu i përgjitshëm, Dr. Gazmend Morina, i cili foli për Pseudoartrozat. Dr. Morina solli përvojat në kirurgji dhe prezantoi njëkohësisht një zbulim të tijin që lehtëson punën e kirurgut, për të cilin ne do të sjellim një shkrim të veçantë.

Tri paraqitjet e fundit ishin të rezervuara për sfidat në gjinekologji, mëlqi dhe zemër. Me profesor Dr. Alban Nezirin, gastroentrologun Mentor Bilali dhe kardiologun, profesor Dr. Florim Cuculi, insuficienca po kthehej në interaktivitet e debat mes kolegëve, të cilët pas mbylljes së simpoziumit ishin të ftuar të merrnin pjesë në një darkë solemne të shtruar nga Kryesia e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër.

Ne fund, stomatologu Gazmend Haliti falënderoi në emër të Kryesisë për kontributin e madh kryetarin dhe anëtaren e Kryesisë së kaluar të LMSHZ-së, Prof. Dr. Omer Xhemalin dhe Dr. med. Xhida Lumin, të cilës iu dorëzuar dhe një dhuratë e vogël në shenjë mirënjohjeje.

Në lidhje me simpoziumin Albinfo.ch ka intervistuar kryetarin e LMSHZ-së, Prof. Dr. med. Florim Cuculi, kardiolog.

Dr. med. Marcela Cenon, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani,

Dr. med. Mentor Bilali, gastroentrolog dhe hepatolog dhe stomatologun Gazmend Haliti, i cili është kujdesur për mbarëvajtjen e simpoziumit.

Kryetari i LMSHZ-së prof. Dr. med. Florim Cuculi

Intervistë me kryetarin e LMSHZ-së, prof. Dr. med. Florim Cuculi, kardiolog

Albinfo.ch: Vërehet një pjesëmarrje e lartë e mjekëve shqiptarë, si e vlerësoni ju si kryetar i LMSHZ-së simpoziumin?

Dr. Florim Cuculi: Simpoziumi ishte shumë i suksesshëm. Është një mrekulli, e cila më bën tepër krenar në një ditë kaq të bukur me diell, e madje në ditën ku mbahet Alba festival, është fenomenale. Më kënaqi fakti që ligjëratat ishin të mira e me diskutime interkative, me angazhim të madh, me çka ne lidhëm e krijuam miqësi e kontakte të reja, sepse çdo konferencë ka pjesën shkencore, por edhe pjesën sociale dhe unë jam tepër i kënaqur.

Albinfo.ch: Meqë përmendet Alba festivalin, a do të thotë se ju kemi lënë sot pa mjekë Alba festivalin?

Dr. Florim Cuculi: qesh: Jam i sigurt që edhe në Alba festivalin kanë shkuar mjekë, se je jemi shumë më shumë mjekë shqiptarë në Zvicër se sa keni parë këtu.

Albinfo.ch: Për shkak të pandemisë Covid-10 pati një pauzë të detyrueshme, për pasojë edhe Simpozioumi i paraparë për dhjetor të vitit 2021 u desh të shtyhej. Ku është sot Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës dhe çfarë rëndësie ka ky simpozium?

Dr. Florim Cuculi: Mua më duket se LMSHZ është e nevojshme për ne si komunitet se unë sot takova mjekë shqiptarë që pa LMSHZ-në mbase nuk do t’i kisha takuar kurrë. Kjo na rrjetëzon dhe kështu rritet mundësia e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të profesionit që ne ushtrojmë.

Albinfo.ch: Cili është mesazhi i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës për ata që sot s’kanë mundur të jenë me ju dhe për vetë komunitetin shqiptar që jeton në Zvicër?

Dr. Florim Cuculi: Për mjekët shqiptarë këtu në Zvicër, ky simpozium tregon që ne shqiptarët mundemi dhe duhet ta rrisim vetëbesimin në asetet tona që kemi, se shpesh ne nuk jemi të vetëdijshëm sa shumë asete kemi. Kurse për popullatën tone shqiptare këtu, kjo është diçka e mirë, sepse një pjesë e madhe e tyre kanë emigruar në Zvicër në kohën kur ne s’kemi pasur këtu as mjekë, as inxhinerë, as arkitektë e të tjerë dhe tani të shohësh kaq shumë mjekë të grumbulluar këtu, e që janë në pozita të ndryshme, kjo është diçka tepër e bukur e që të bën krenar, sepse tregon se ne kemi arritur diçka.

Albinfo.ch: Edhe një pyetje personale, z. Cuculi, ju jeni prej atyre mjekëve që jeni rritur dhe shkolluar në Zvicër, megjithatë nuk e keni humbur lidhjen me vendin e prejardhjes, flisni gjuhën shqipe shkëlqyeshëm dhe shkoni shpesh në Prishtinë, ndonëse jeni nga Kërçova. Mos jeni «kosovarizuar»?

Dr. Florim Cuculi: Mua «kosovarët» më kanë integruar (qesh) dhe fakti që shkoj shpesh në Prishtinë, tani kam bërë edhe një lejeqendrimi të Kosovës dhe tani pres vetëm pasaportën dhe shpresoj ta lexojnë këtë mesazh e të më pajisin me pasaportë, se jam shumë i lidhur me Kosovën. Jam rritur me sakrificën e popullit të Kosovës për liri. Kosova është thellë në zemrën time dhe edhe po të donit, nuk ma merrni dot.

Kryetarja e SHMSHGJ, Dr. med. Marsela Ceno

Intervistë me kryetaren e SHMSHGJ, Dr. med. Marcela Ceno – kirurge

Albinfo.ch: Jeni e ftuar në kuadër të simpoziumit të Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës si kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë të Gjermanisë për të ligjëruar me temë insufiencën.

Dr. Marsela Ceno: Jam e ftuar si kryetare e SHMSHGJ dhe si kirurge për të ligjëruar në Simpoziumin e dytë të LMSHZ me temë insuficienca e organeve. Jo shumë kohë më parë ne kemi mbajtur në Munih në bashkëpunim me LMSHZ-në konferencën e parë ndërkombëtare interdisplinore. Ishte një bashkëpunim shumë i frytshëm mes nesh.

Albinfo.ch: Ju jeni kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani. Si funksionin SHMSHGJ?

Dr. Marsela Ceno: Ne jemi të organizuar në lande, janë 16 lande në Gjermani dhe mundohemi për çdo land të kemi grupin tonë të punës së Gjermania është e madhe dhe mundësitë tona të takimeve janë më të kufizuara. Por ajo që ne bëjmë si shoqatë, është organizimi në qendra të ndryshme. Ne kemi themeluar shoqatën në Berlin. Kemi zhvilluar takime në Frankfurt, Munih dhe mundohemi të jemi sa më pranë anëtarëve tanë të shoqatës dhe jemi të hapur edhe për studentë që studiojnë mjekësinë. Ne kemi një numër prej 250 mjekësh.

Albinfo.ch: Bëhet fjalë këtu për mjekë shqiptarë janë rritur e shkolluar në Gjermani apo për mjekë që kanë imigruar viteve të fundit?

Dr. Marsela Ceno: Situata në Gjermani paraqitet ndryshe nga Zvicra, sepse këtu shoh që mjekët janë lindur e rritur ose kanë ardhur në moshë të vogël në Zvicër. Ndërkohë që në Gjermani bëhet fjalë me tepër për mjekë, të cilët kanë ardhur në 10 vjetët e fundit dhe unë njëra nga ato. Kam studiuar mjekësinë në Tiranë dhe pastaj kam vendosur për të ardhur. Numri i mjekëve shqiptarë në Gjermani është shumë i lartë, janë me tepër se 1500 dhe potenciali për të rritur shoqatën është i madh.

Albinfo.ch: Si vlerësoni simpoziumin këtu?

Dr. Marsela Ceno: Simpoziumi është organizuar në mënyrë të përkryer, duke filluar nga përzgjedhja e lokacionit. Tema është shumë interesante dhe kështu secili prej nesh ka mundësinë të sjellë prezantimin në përputhje me temën e caktuar.

Dr. med dent. Gazmend Haliti – stomatolog Neumarktpraxis Haliti, St. Gallen

Albinfo.ch: Si keni arritur të riorganizoheni pas pauzës që kishim si pasojë e pandemisë?

Dr. Gazmend Haliti: Kryesia funksionon në mënyrë shumë kolegiale dhe demokratike, kur është kështu gjithçka organizohet më lehtë dhe secili qëndron mbrapa vendimeve të saj. Kështu ne kemi përdorur të gjitha mundësitë përmes mediave sociale për informimin e anëtarëve. Kurse temën e simpoziumit e kemi zgjedhur me votim përmes një ankete. Pastaj kemi zgjedhur lokacionin, ndër më të mirët në kryeqytet dhe ne presim që në simpoziumin e ardhshëm të kemi edhe më shumë pjesëmarrës. Ky simpozium është i akredituar në Shoqatën e Zvicerane për Mjekësinë e Përgjithshme Interne.

Albinfo.ch: Ka impakt për pjesëmarrësit?

Dr. Gazmend Haliti: Po, natyrisht. Janë tri kredite që merren si pjesë e shkollimit të vazhdueshëm që kanë mjekët. Një benefit plus është takimi me mjekë të tjerë e shokë shqiptarë në një ambient të mirë e mes miqve, për dallim nga eventet ku ndoshta mund te shkohet vetëm për kredite.

Albinfo.ch: Ju jeni promotori i këtij organizimi. Ka qenë vështirë të realizohet kjo?

Dr. Gazmend Haliti: Mbrëmë jam marrë me detajet e fundit deri pas mesnate dhe bashkë me sekretaren Valbona Miftari jemi munduar që të bëjmë një përgatitje sa më të mirë. Mirëpo edhe i tërë ekipi ka punuar. Jam shumë i kënaqur me mbarëvajtjen. Ka qenë nivel i lartë i ligjerimit. Të gjithë mjekët ligjërues janë në pozita të larta drejtuese që e kanë dëshmuar veten në lëmitë e tyre.

Dr. med. Mentor Bilali, gastroentrolog dhe hepatalog – shef mjekësor i Spitalit Regjional në Langenthal

Dr. med. Mentor Bilali, gastroentrolog dhe hepatalog – shef mjekësor i Spitalit Regjional në Langenthal

Albinfo.ch: Si e vlerëson simpoziumin nga aspekti i një gastroentrologu, duke parë që kishit një paraqitije interaktive?

Mentor Bilali: Mëlçia është një organ shumë i rëndësishëm për tretjen dhe është shumë vështirë brenda 15 minutave të përfshihen të gjitha pikat në këtë lëmi, mirëpo jam munduar t’i jap secilit diçka nga kjo pjesë që është e rëndësishme në përditshmëri.

Albinfo.ch: Ligjërata juaj ishte më ndryshe e në formë interaktive, më e gjallë e në komunikim me audiencën, çfarë përshtypje kishit?

Mentor Bilali: Unë preferoj ligjërimin në mënyrë interaktive, ku inkuadrohen dhe diskutojnë të gjithë dhe në fund përfitojmë të gjithë. Sepse janë ligjërata të gjata dhe audienca mund të shpërqendërohet nëse nuk i duket ligjërimi atraktiv. Megjithatë qëllimi ynë ishte edhe takimi pas një pauze të gjatë me masat e pandemisë.

Albinfo.ch: Si arrin pacienti t’i marrë këto informacione që ju shkëmbyet sot?

Mentor Bilali: Qëllimi i kësaj ligjërata ka qenë edhe shkëmbimi i përvojave me mjekët familjarë, se ata zakonisht janë të parët në kontakt me pacientët  dhe këto përvoja të debatohen e të identifikohen problemet me të cilat ballafaqohemi.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Autor i artikullit: Bekim Dalipi

Foto: Leonora Elshani-Murati dhe Bekim Dalipi