Shqiptaro-amerikani Gino Mulliqi ka fituar edhe një mandat tjetër trevjeçar në shërbim të qytetit Wylie, në United States, transmeton albinfo.ch.
Përmes një reagimi publik, Mulliqi ka reflektuar mbi rrugëtimin e tij jetësor – nga një djalë 13-vjeçar që përjetoi luftën në Kosovo, deri te mbajtja e një pozite publike në SHBA.
Ai kujtoi periudhën e vështirë të luftës, frikën dhe pasigurinë që e shoqëronin atë kohë, si dhe momentin që i ndryshoi jetën kur shkoi në Amerikë si student shkëmbimi në Oregon. Më pas, rrugëtimi i tij vazhdoi në New York City, ku ndërtoi karrierën profesionale, përfshirë angazhimin në kompaninë Verizon, si dhe krijimin e biznesit të tij.
Më vonë, ai u përfshi në politikën lokale në Teksas, duke fituar besimin e komunitetit që sot përfaqëson.
“Amerika më dha një mundësi. Wylie më dha një shtëpi”, ka shkruar Mulliqi, teksa shprehu mirënjohjen ndaj qytetarëve për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm.
Ai falënderoi gjithashtu kolegët dhe familjen për përkrahjen përgjatë gjithë rrugëtimit të tij, duke e cilësuar këtë mandat të ri si një moment të mbushur me përulësi, përgjegjësi dhe motivim për të vazhduar shërbimin ndaj komunitetit./Albinfo.ch