Lajme

Shqiptari humb jetën në një kantier ndërtimi në Padova

Shqiptari u gjet i pajetë në hapësirën e ashensorit. Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.

Një 51-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një kantier ndërtimi në Padova të Italisë. Viktima është identifikuar si Altin Kokici, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve të mediave italiane, ngjarja ka ndodhur gjatë natës mes së mërkurës dhe së enjtes, në një ndërtesë ku po zhvilloheshin punime ndërtimore.

Kokici dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit, ndërsa si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën.

Familjarët kanë dhënë alarmin pasi nuk kishin mundur të kontaktonin me të. Përmes telefonave të tyre, ata kishin konstatuar se 51-vjeçari nuk ishte larguar nga zona e kantierit.

Sipas “Euronews Albania”, ai nuk ishte dëgjuar që nga orët e para të pasdites, ndërsa furgoni i tij ishte parkuar pranë ndërtesës, me bagazhin ende të hapur.

Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët kanë hyrë në ndërtesë dhe kanë telefonuar në celularin e 51-vjeçarit. Sinjali i telefonit i ka orientuar ata drejt hapësirës së ashensorit, ku e kanë gjetur trupin e tij të pajetë.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e saktë të aksidentit./Albinfo.ch