Shqipëria është bërë sërish pjesë e iniciativës ndërkombëtare “Best Tourism Villages 2026”, të Organizatës Botërore të Turizmit, e cila vlerëson fshatrat që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm, ruajnë trashëgiminë kulturore dhe mbështesin ekonominë lokale, transmeton albinfo.ch.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se kjo nismë promovon modelet e turizmit rural që ruajnë identitetin lokal dhe fuqizojnë komunitetet.
Sipas Gonxhjes, Shqipëria vazhdon të dëshmojë se fshatrat e saj përbëjnë një pasuri të çmuar të identitetit kombëtar.
“Me trashëgiminë e saj të pasur kulturore materiale dhe jomateriale, peizazhet e mrekullueshme natyrore, traditat e gjalla dhe mikpritjen autentike, Shqipëria vijon të dëshmojë se fshatrat e saj janë një thesar i identitetit kombëtar dhe një nga asetet më të çmuara të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm”, u shpreh ministri.
Ai shtoi se përmes kësaj iniciative, Shqipëria prezanton denjësisht vlerat e saj në një nga programet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e turizmit rural dhe të qëndrueshëm./Albinfo.ch