Shqipëria

Shqipëri: Rekord i kursimeve në banka

Në një vit u shtuan edhe 860 milionë euro

“Kursimet e shqiptarëve në banka kanë arritur në nivele rekord. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2021 depozitat bankare u zgjeruan në 1.22 trilionë lekë, gati 10 miliardë euro. Në raport me vitin 2020, depozitat bankare u shtuan me rreth 860 mln euro”.

Kjo rritje e kursimeve me mbi 104 miliardë në harkun e një viti rezulton sipas statistikave më e larta në dekadën e fundit, që prej vitit 2010 kur u zgjeruan me rreth 1 miliard euro, apo 122 miliardë lekë.

Tendenca më e fortë e shtimit të kursimeve vihet re veçanërisht pas pandemisë, përgjatë viteve 2020-2021 që duket se ka ndryshuar edhe sjelljen e qytetarëve si për të shpenzuar e për të kursyer si rrjedhojë e pasigurive në rritje.
Krahasuar me vitin 2019 kur totali i depozitave bankare të bizneseve, qytetarëve e institucioneve arriti në 8.5 miliardë euro, kursimet e tyre janë rritur me rreth 1.5 miliardë euro deri ën fund të dhjetorit të kaluar.

Kursimet në valutë që kanë shënuar një rritje të ndjeshme kanë dominuar depozitat bankare edhe vitin e kaluar duke arritur në vlerën e 663 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, zgjerim kanë parë edhe depozitat në monedhën vendase, duke arritur në 553.1 miliardë lekë, edhe pse rritja ka qenë më e moderuar se ato në valutë.

Ky trend në rritje i kyçjes së parave në banka duket se i atriubohet edhe situatës ekonomike në vend, ku bizneset në sektorë të caktuar të prekur nga pandemia duket se po stepen të bëjnë investime apo t’i shtyjnë ato në kohë duke preferuar t’i mbajnë kursimet e tyre në sistemin bankar./tch