Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sulme të reja ushtarake ndaj Iranit, duke goditur një sistem të mbrojtjes ajrore në ishullin Qeshm, pranë Ngushticës së Hormuzit, përcjell albinfo.ch.
Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar sulmet gjatë një prononcimi për gazetarët në Florida, mbrëmjen e së premtes, më 6 nëntor, duke i cilësuar ato si operacione të kufizuara ushtarake.
Sipas tij, forcat amerikane kanë shkatërruar një pajisje të mbrojtjes kundërajrore të vendosur nga Irani. Trump ka deklaruar se operacioni ka zgjatur vetëm disa minuta.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane kanë raportuar për dy shpërthime në zonën Suza të ishullit Qeshm. Sipas raportimeve fillestare, dy predha kanë goditur ishullin, por ende nuk ka informacione të konfirmuara për dëmet apo viktimat e mundshme.
Sulmet vijnë në një periudhë tensionesh të vazhdueshme ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të ndjeshme të konfliktit, për shkak të rëndësisë së saj për transportin ndërkombëtar të naftës.
Pavarësisht veprimeve ushtarake, Trump ka deklaruar se administrata amerikane po vazhdon bisedimet me Iranin dhe se është shënuar përparim drejt një marrëveshjeje të mundshme.
Në përpjekjet diplomatike është përfshirë edhe Katari, i cili po ndërmjetëson ndërmjet dy vendeve për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Autoritetet iraniane kanë raportuar gjithashtu për rrëzimin e një droni amerikan mbi ishullin Qeshm, por ky pretendim nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.