Kosova

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës vazhdon sot në orën 11:00

Një ditë pas skadimit të afatit kushtetues, deputetët do t’i rikthehen seancës për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Seanca konstituive e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot, 8 gusht, nga ora 11:00, ka vendosur kryesuesi i seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në rendin e ditës janë dy pika: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve.

“Të shtunën, më 8 gusht 2026, në orën 11:00, vazhdon seanca konstituive e Legjislaturës XI të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Rendi i ditës: 3. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit; 4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Vazhdimi i seancës vjen një ditë pasi ka skaduar afati 30-ditor i përcaktuar për konstituimin e Kuvendit, në bazë të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese. Afati kishte nisur nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Partitë opozitare kishin qëndruar mbrëmë në ambientet e Kuvendit deri në mesnatë, kur përfundonte afati i përcaktuar për konstituimin e legjislaturës.

Ndërkohë, partitë politike vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për ngërçin institucional, ndërsa çështja e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe marrëveshja për presidentin mbeten ndër pikat kryesore të diskutimeve politike./Albinfo.ch.