E-Diaspora
“Scanderbeg” hap Javën e Kulturës Shqiptare në Parma
Tetë takime të shpërndara në tërë muajin nëntor për të festuar përvjetorin e Pavarësisë dhe atë të Çlirimit. Shoqata Scanderbeg vazhdon traditën e saj nëntëvjeçare
Edhe pse nga festat e 28-29 nëntorit na ndajnë akoma dy javë, shoqata shqiptare Scanderbeg ka nisur tashmë festimet edhe për këtë vit. Ajo që quajnë “Java e kulturës shqiptare” është një program i pasur aktivitetesh festive me karakter letrar, historik, kulturor e sportiv, që po mbahen nga 8 nëntori e do të përfundojnë më 29, që kanë për qëllim t’u ofrojnë qytetarëve të Parmës e shqiptarëve që jetojnë në zonë një mundësi njohjeje e shkëmbimesh të mëtejshme, shkruan “Shqiptari i Italisë.
Takimi i parë i “Javës së Kulturës Shqiptare” u mbajt të shtunën më 8 nëntor. Quhej “SMILE – Scoprendo ‘Shqipëria’” dhe u dedikohej më të vegjëlve. Në bibliotekën ndërkombëtare të Parmës “Ilaria Alpi”, fëmijët e shkollës shqipe Scanderbeg e miq të tyre italianë ndoqën me interes “Legjendën e shqiponjës” të rrëfyer nga Bora Myrtaj, apo laboratorin e përgatitur nga Elvira Lashi mbi gjeografinë. Bashkë me të rriturit u njohën me librat në gjuhën shqipe të pranishëm në bibliotekë për të cilët u foli një punonjëse e “Ilaria Alpit”. Me këtë rast, Shkolla Shqipe Scanderbeg e Parmës i ka dhuruar disa libra të rinj autorësh shqiptarë bibliotekës duke pasuruar sektorin e saj në gjuhën shqipe.
Takimi i dytë do të mbahet më 22 nëntor në orën 15, kur do të përurohet ekspozita e mjeshtrit Ibrahim Kodra. Scanderbeg në bashkëpunim me Fondacionin Ibrahim Kodra të Milanos ka mundësuar organizimin e ekspozitës që do të qëndrojë hapur deri më 30 nëntor.
Të dielën, më 23 nëntor nga ora 10 do të mbahet “Tolerancë dhe bashkëbisedim – Sporti bashkon”, turneu i futbollit i organizuar nga ASD Scanderbeg në të cilin marrin pjesë disa skuadra të komuniteteve të huaja të pranishme në Parma.
Të martën, më 25 nëntor, nga ora 10.30 është radha e “Noi parliamo Danza”. Të rinjtë e grupit “Scanderbeg Danza” do t’u mësojnë nxënësve të institutit Giuseppe Micheli valle e muzikë popullore shqiptare.
Të mërkurën më 26 nëntor, në orën 17.30, “TRID C’ME L’ALBANIA”. Ky i këtij viti është edicioni i pestë i takimit gjatë të cilit qytetarë të Parmës tregojnë si e kanë njohur Shqipërinë. Në vazhdim do të prezantohet udhërrëfyesi “Tirana e Albania”e Benko Gjatës dhe e Francesco Viettit (Morellini editore).
Takimi i gjashtë i “Javës së Kulturës Shqiptare” do të jetë më 27 nëntor në orën 17.00, “Patrizia Vinicelli – La poesia e l’azione”. Biblioteka “Ilaria Alpi” në bashkëpunim me forumin e nxënësve Scanderbeg do të paraqesin “La poesia e l’azione” të Patrizia Vicinellit, një figurë pak e njohur, edhe pse shumë e rëndësishme në panoramën letrare italiane.
Të premten më 28 nëntor, në orën 17, “I parmigiani nella liberazione dell’Albania”. Me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit, shoqata Scandebeg do të kujtojë qytetarët e Parmës që kanë luftuar e janë dalluar në Luftën nacional-çlirimtare të Shqipërisë nga nazifashistët, me dhënien e një “Pllake mirënjohjeje” ANPI-t (shoqata kombëtare e partizanëve të Italisë) të Parmës. Mbrëmja do të vazhdojë me prezantimin e materialit audioviziv “Nga pushtues në çlirimtarë”.
Së fundi, më 29 nëntor, nga ora 20, do të shtrohet darka e përvitshme e anëtarëve të shoqatës dhe miqve të saj. Gjatë mbrëmjes do të jepet edhe çmimi i parë i konkursit të poezisë “Zanafilla 2014”.
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër Tubimi me bashkatdhetarët do të mbahet të shtunën në Winterthur, në kuadër të aktiviteteve të partive... -
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana”
Jeta në Austri
-
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë Të enjten u vendos ulja e TVSH-së. Qeveria flet për lehtësim - por klientët do të... -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan” -
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë












