Muzikë

Rita Ora shkëlqen në darkën e Kering Foundation në Nju-Jork

Këngëtarja shqiptare tërhoqi vëmendjen me një fustan të zi të Gucci-t në eventin “Caring for Women”

Rita Ora ishte mes emrave të njohur që morën pjesë në darkën vjetore “Caring for Women” të Kering Foundation, e mbajtur në New York, ku këngëtarja shqiptare tërhoqi vëmendjen me paraqitjen e saj në tapetin e zi, përcjell albinfo.ch.

E veshur nga Gucci, Ora zgjodhi një fustan të gjatë, tërësisht të zi, me një dizajn elegant dhe të guximshëm. Veshja kishte rripa shumë të hollë, dekolte të theksuar dhe një prerje të ngushtë që ndiqte siluetën e këngëtares.

Materiali me shkëlqim dhe tekstura që të kujton lëkurën e gjarprit i dhanë fustanit një tjetër dimension, ndërsa e çara në pjesën e poshtme krijonte lëvizshmëri dhe zbulonte një pjesë të këmbës.

Rita Ora e kompletoi paraqitjen me këpucë të zeza me majë të hapur dhe bizhuteri me diamantë, përfshirë vathë, byzylyk dhe disa unaza.

Për pamjen e saj, këngëtarja kishte zgjedhur flokët e mbledhur dhe të lëmuar, ndërsa grimi me sy të theksuar dhe buzë me shkëlqim plotësonte stilin e mbrëmjes.

Gjatë eventit, Ora u fotografua edhe përkrah aktores së njohur Salma Hayek, e cila gjithashtu u paraqit me një veshje të zezë.

Darka “Caring for Women” organizohet çdo vit nga Kering Foundation dhe mbledh personalitete nga bota e modës, muzikës, filmit dhe artit. Eventi ka në fokus mbështetjen e grave dhe përpjekjet kundër dhunës ndaj tyre./Albinfo.ch