Kosova
Reagimet pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Twitter ka reaguar lidhur me sulmet kundër Policisë së Kosovës në veri
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e ka dënuar fuqishëm sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri. Në një postim në Twitter, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka shprehur shqetësim të thellë në lidhje me këtë sulm, transmeton albinfo.ch.
“Ambasada e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë zjarri dhe hedhje gurësh ndaj zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit pranë Zubin Potokut”, thuhet në reagimin e ambasadorit Hovenier, raporton Evropa e Lirë.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme”, thuhet ndër tjerash në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, në orët e hershme të 15 prillit. “Policia e Kosovës është ofruesja kryesore e sigurisë dhe përdorimi i forcës kundër zyrtarëve është i papranueshëm”.
Zyra e bllokut evropian në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensionet.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Twitter ka reaguar lidhur me sulmet kundër Policisë së Kosovës në veri. Duke cituar burimet që kanë identifikuar sulmin e së enjtes, “të ardhur nga Serbia”, Kurti i ka bërë thirrje Serbisë që “të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve ishin serbë të Kosovës”.
Ndërkohë, Blerim Vela, këshilltar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një reagimi në Twitter ka thënë se këto veprime ndaj Policisë së Kosovë kanë për qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë dhe asaj politike në vend.
Lidhur me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri, ka reaguar edhe kreu i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se “këto akte kriminale janë alarm për të gjithë”.
“Krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike as etnike. Ai i rrezikon të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, andaj është në interesin e secilit individ dhe komunitet që ta denoncojë e ta luftojë krimin”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar në lidhje me sulmet ndaj Policisë së Kosovë në veri. Në një postim në Facebook, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka dënuar sulmin duke e quajtur “akt kriminal dhe i patolerueshëm që për qëllim ka cenimin e rendit dhe ligjit”.
Krasniqi ka kërkuar nga organet e rendit që “t’i hetojnë dhe ndriçojnë rrethanat e këtij akti kriminal, si dhe t’i japin përgjigje meritore çdo përpjekjeje që cenon Kosovën dhe sovranitetin e shtetit tonë”.
Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.
Policia e Kosovës në shkurt të këtij viti kishte njoftuar se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë. Sfeçla atëherë kishte thënë se mbyllja e këtyre rrugëve është tentim për të parandaluar dhe luftuar krimin dhe të gjitha format e kontrabandës në zonat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Edhe në tetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës pati zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Policia e Kosovës pati thënë se në atë aksion ishin sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh”.
E-Diaspora
-
Kërkohet 13-vjeçari Eduart Arifi në Radolfzell të Gjermanisë Policia dhe familja kërkojnë ndihmë për gjetjen e djalit të zhdukur që nga mëngjesi i sotëm... -
Nju-Jork
“United FestivAlb” bashkon diasporën shqiptare në Nju-Jork -
Kanadë
“Dy Emra / Two Names”, filmi nga Toronto që sfidon heshtjen mbi lirinë e gruas shqiptare -
St.Gallen
Njihuni me Flamur Ademin, talentin shqiptar që i bashkohet St. Gallen U15 -
Një ditë e zakonshme që u kthye në festë zyrtare: Historia e 1 Majit
Jeta në Austri
-
Një ditë e zakonshme që u kthye në festë zyrtare: Historia e 1 Majit Kur isha në shkollë fillore, 1 Maji për mua ishte thjesht një ditë në natyrë me... -
Ambasada e Kosovës në Austri njofton shërbime të mbyllura konsullore në disa data të majit 2026 -
Autoritetet e Austrisë dhe Shqipërisë çmontojnë rrjet kriminal të mashtrimeve online me vlerë 50 milionë euro, 10 të arrestuar -
Trupa e teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” shfaq me 27 prill vepren “Vojçeku” në Vjenë -
Austria planifikon rregulla më të rrepta për ofertat e kreditit online














