Kosova

Ramush Haradinaj e propozon Hashim Thaçin për president

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po i shtyn qëllimshëm proceset e formimit të institucioneve teksa për çështjen e presidentit ia ka propozuar Hashim Thaçin.

“Nëse do zgjidhje regjimi i Kurtit, është në nderin e kësaj legjislature por edhe çdo legjislature që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi, atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij është nderin tonë si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie politike, por për shkak të një kundërpërgjigje të armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë, që t’ia vazhdojmë mandatin. Ka edhe x opsione të tjera mos me mbajtë peng Kosovën”, ka deklaruar ai.

Tutje ai e ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mosthirrjen e seancës konstituive, derisa ka theksuar se gjuajtja me vezë nga deputetja Time Kadrijaj kundrejt Kurtit ka ndodhur për shkak se nuk po propozohet kandidati për kryeparlamentar. 

“Ai e ka instaluar veten mbi Kushtetutën, mbi institucionet, mbi çdo obligim kushtetues e ligjor. Mosthirrja e seancës me arsyetimin se nëse s’ka marrëveshje ndodh dhunë në seancë është vetëm alibi. Dhuna ka ndodhur, gjuajtja me vezë për Kurtin, jo pse e ka thirrë seancën por pse nuk po kandidon kryetarin e Kuvendit që është detyrë e tij”, deklaroi ai, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, edhe nga Partia Demokratike e Kosovës kanë shprehur mbështetje për një mandat të ri për ish-presidentin.

“Presim që më 16 shtator, ai dhe çlirimtarët të vijnë të lirë dhe do t’i presim të gjithë. Andaj është mundësi e mirë, edhe pse jo, të gjitha forcat politike të japin mbështetje për presidentin Thaçi që të vazhdojë punën aty ku e ka lënë”, tha deputeti i PDK-së, Arian Tahiri dje.