Bota

Presidenti i Katalonjës thotë se shpallja e pavarësisë është ‘çështje ditësh’

Katalonia do të shpallë pavarësinë nga Spanja, brenda ditësh, ka njoftuar presidenti i rajonit autonom, në një intervistë për BBC-në, përcjell albinfo.ch.

Në intervistën e tij të parë që nga referendumi i së dielës, Carlses Puigdemont tha se qeveria do të veprojë në fund të kësaj jave ose në fillim të tjetrës.

Njëkohësisht, mbreti i Spanjës, Felipe VI ka thënë se organizatorët e referendumit kanë dalë jashtë ligjit. Ai në një fjalim drejtuar kombit shtoi se situata në Spanjë aktualisht është shumë serioze duke bërë thirrje për unitet.

Mijëra njerëz në gjithë Kataloninë ende janë duke protestuar kundër dhunës së policisë. E presidenti katalonas, shtoi se nëse qeveria qendrore do të intervenojë sërish në Kataloni dhe merr kontrollin ndaj qeverisë rajonale, sipas tij, do të ishte gabim që ndryshon gjithçka.

Sipas tij, aktualisht nuk ka kontakte ndërmjet qeverisë në Madrid dhe asaj në Barcelonë.