Lajme

Partitë politike në Zvicër me propozime që të frenohet rrjta e kostove shëndetësore

Ndërsa votuesit në Zvicër janë të vendosur të peshojnë dy iniciativa që kërkojnë të ulin primet e sigurimit, politikanët e vendit po propozojnë masat e tyre për uljen e kostove.

Më 9 qershor, zviceranët do të hedhin votën e tyre për dy çështje, duke synuar, megjithëse në mënyra të ndryshme, të frenojnë koston vazhdimisht në rritje të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor (KVG/LaMal).

Njëra kërkon kufizimin e tarifave të sigurimit në 10 për qind të të ardhurave, ndërsa tjetra parashikon një ‘frenim’ të kostove shëndetësore, të cilat duhet të evoluojnë sipas ekonomisë dhe pagave, shkruan thelocal.

Çdo nismë ka përkrahësit dhe kundërshtarët e saj, por pavarësisht se çfarë do të ndodhë më 9 qershor, çështja e primeve të sigurimeve shëndetësore dhe kostot shëndetësore në përgjithësi, do të mbeten në fokus të shumë debateve politike.

Por ndërsa të gjithë në Zvicër pajtohen se sigurimi shëndetësor është shumë i shtrenjtë për shumicën e njerëzve, mendimet se si ta bëjnë atë më të përballueshëm ndryshojnë sipas linjave politike.

Këto janë disa nga pikëpamjet kryesore, siç raportojnë mediat zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Socialdemokratët

Partia që ka udhëhequr nismën ’10 për qind e të ardhurave’ që do të votohet më 9 qershor, po bën gjithashtu thirrje për heqjen e shumë kompanive private në favor të një fondi të vetëm shëndetësor të drejtuar nga qeveria.

Partia argumenton se një sistem i tillë do të ndihmonte në mbajtjen e kostove të ulëta.

Të tjerë, megjithatë, nuk janë dakord, duke thënë se mungesa e konkurrencës do të kishte efektin e kundërt: në vend që të reduktonte kostot, do t’i rriste ato më tej.

Ata gjithashtu theksojnë se një sistem sigurimi privat ofron më shumë zgjedhje dhe ofron një cilësi më të lartë shërbimesh – duke përfshirë qasje më të mirë tek specialistët dhe kohë më të shkurtra pritjeje për procedurat mjekësore – sesa një opsion publik.

Të Gjelbrit

Partia është shprehur edhe në favor të një ofruesi të vetëm shëndetësor, përveç primeve në bazë të të ardhurave dhe pasurisë.

Ndërsa ideja ka fituar mbështetje në disa qarqe, të tjerë, duke përfshirë Këshillin Federal, kanë theksuar se sistemi aktual është “tashmë i bazuar në të ardhurat”, sepse personat me të ardhura të ulëta kanë të drejtë për subvencione nga qeveria nëse primet e sigurimit shëndetësor tejkalojnë 8 për qind të tyre të të ardhurave.

Të Gjelbrit gjithashtu e konsiderojnë luftën kundër ngrohjes globale si një politikë shëndetësore, duke thënë se vetëm në Zvicër, më shumë se 2000 njerëz vdesin çdo vit nga sëmundjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit.

Liberal-Radikalët (PLR)

Partia mbështet sistemin ku pacientët zgjedhin vullnetarisht barnat gjenerike dhe jo ato të markës në këmbim të primeve më të ulëta të sigurimit shëndetësor.

Sipas skemës aktuale, ata që zgjedhin barnat gjenerike janë përgjegjës vetëm për një bashkëpagesë 10 për qind, ndërsa për ilaçet e markës është 40 për qind.

Por “nëse mbajtësit e policave mund të zgjedhin modelin që duan, ne patjetër mund ta konsiderojmë [këtë opsion]”, tha ekonomisti i shëndetësisë Willy Oggier.

Partia Popullore Zvicerane (SVP)

Ndoshta propozimi më radikal vjen nga partia që është më e djathta. Propozimi i saj: sigurimi i detyrueshëm shëndetësor duhet të hiqet fare. Kjo ide jo vetëm që është drastike, por nuk është e zbatueshme sipas ligjit aktual.

Kjo për shkak se legjislacioni aktual është rezultat i referendumit të vitit 1994, kur votuesit pranuan një detyrim të përgjithshëm për sigurimin shëndetësor.

Për ta shfuqizuar, do të duhej të bëhej një referendum tjetër, ku shumica do të votonte për heqjen e këtij ligji.

“Por edhe nëse sigurimi i detyrueshëm do të hiqet, njerëzit do të duhet të paguajnë edhe më shumë për kujdesin shëndetësor”, tha Oggier.