Lajme

Pandemia e pabarazisë

Viti 2021 shënoi një vit të pabarazisë. Të varfrit u varfëruan, të pasurit u bënë edhe më të pasur

Pandemia e koronës për gati dy vjet e ka mbajtur botën në pezull. Shtete në mbarë botën janë përballur edhe këtë vit me valë të ndryshme të koronës. Pavarësisht faktit se shumica e qytetarëve nëpër botë janë vaksinuar, një pjesë e njerëzve ende kanë dyshimet e tyre dhe ngurrojnë të marrin vaksinën. Varianti i ri Omikron do të jetë sfida e re me të cilën do të përballet njerëzimi, sidomos në fillim të vitit të ri.

Pas afro dy vjetësh të pandemisë, efektet e saj në ekonomi dhe sektorë të tjerë të shoqërisë tashmë janë të dukshme. Ekspertë të Dhomave të Punës nëpër botë, vitin 2021 e konsiderojnë si vit të pabarazisë sociale.

Kjo mund të shihet, për shembull, në shifrat mbi rrezikun e varfërisë. Në Austri, bie fjala, viteve të fundit deri në vitin 2019 ka pasur një ulje të lehtë të varfërisë. Në vitin 2020, viti i parë i pandemisë, trendi u përmbys dhe më shumë njerëz u rrezikuan sërish nga varfëria. Gjatë këtyre dy vjetëve përqindja e njerëzve në rrezik të varfërisë u rrit nga 13.3 për qind deri në 13.9 për qind. I njëjti trend goditi edhe shumë shtete të tjera nëpër botë.

Për shkak të situatës së pandemisë, shumë punëtorë nëpër botë u detyruan të punonin me orar të shkurtuar apo të humbnin edhe vendin e tyre të punës. Puna me orar të shkurtuar shpëtoi shumë vende të punës, por të prekurve nga kjo situatë iu desh të pranonin një rënie të ardhurave të tyre. Në shumë vende të botës, e po ashtu edhe në Austri, puna me orar të shkurtuar punëtorëve ua ka zvogëluar të ardhurat deri në 20 për qind, kurse ata që janë regjistruar si të papunë, deri në 45 për qind të të ardhurave që kishin më parë.

Të pasurit u pasuruan – Në anën tjetër, shpërndarja e pasurisë tregon se shumë persona të pasur janë bërë edhe më të pasur. Sipas revistës Forbes, numri i miliarderëve në mbarë botën  që nga viti 2020 është rritur nga 660 në 2755 miliarderë. Çmimet e pronave janë rritur gjithashtu, duke i bërë edhe më të pasur, të pasurit. Gjithashtu gjatë kohës së pandemisë një biznes fitimprurës ishte industria e teknologjisë dhe biznesi i porosive online me postë.

Albinfo.at – Dy vjet me ju

Më 10 janar platforma albinfo.at mbushi 2 vjet. Përgjatë këtyre dy vjetëve jemi munduar të sjellim para jush informata ditore për dhe mbi jetën në Austri që prekin komunitetin tonë shqiptar. Kemi sjellë reportazhe dhe storie suksesi të  shqiptarëve në Austri e gjetiu. Për dy vjet jemi munduar të jemi një urë lidhëse në mes të komunitetit shqiptar, bizneseve shqiptare dhe mes njëri – tjetrit.

E gjithë kjo punë dhe ky sukses është arritur falë një grupi gazetarësh që bashkëpunojnë dhe sjellin tema interesante për lexuesit e revistës albinfo.at, falë mbështetjes së pakursyer të Redaksisë së albinfo.ch në Zvicër dhe Kosovë, si dhe pa dyshim falë bashkëpunimit korrekt me partnerët tanë të bizneseve shqiptare në Austri, të cilët janë të vetmit që e bëjnë të mundur që ky projekt mediatik të vazhdojë të jetë në duart tuaja dhe pranë jush edhe në të ardhmen.

Në vigjilje të Vitit të Ri, para jush erdhi numri më i ri i revistës albinfo.at. Edhe në këtë numër mund të lexoni tema interesante për bashkatdhetarët tanë në Austri. Personazhe shqiptarë të mirë integruar si dhe reportazhe për biznese të suksesshme të shqiptarëve në Austri.

Revista është falas dhe shpërndahet në gjitha qytetet në Austri, në vendet që frekuentohen nga shqiptarët: Në Ambasadën e Kosovës dhe të Shqipërisë, shoqata, biznese shqiptare, lokale afariste, agjenci turistike si dhe mund ta gjeni edhe në aeroportin e Prishtinës.

Meqenëse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se viti 2022 do të jetë viti i fundit i pandemisë, le të shpresojmë që ky vit të jetës vit i shpresës dhe rikthimit të plotë të jetës normale.

Arben Gjinaj, redaktor përgjegjës – Austri