Kosova

OVL-UÇK paralajmëron protestë gjithëpopullore në Prishtinë

Protesta është paralajmëruar për nesër në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu”, pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar protestë gjithëpopullore në Prishtinë, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, transmeton albinfo.ch.

Gazmend Syla nga OVL-UÇK ka bërë të ditur se protesta do të mbahet nesër, në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Sipas Sylës, organizatat e dala nga lufta e kundërshtojnë vendimin e fundit të gjykatës dhe konsiderojnë se ai e vendos luftën e UÇK-së në një kontekst që, sipas tyre, nuk pasqyron rrethanat e viteve 1998–1999.

“UÇK-ja nuk është kurrë ndërmarrje kriminale, kjo ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje”, deklaroi Syla.

Ai njoftoi gjithashtu për hapa të tjerë që organizatat e dala nga lufta synojnë t’i ndërmarrin, përfshirë krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme ku do të përfshiheshin edhe Shqipëria, shqiptarët në Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe diaspora.

Syla tha se synohet gjithashtu hartimi i një strategjie për kundërshtimin e vendimit gjatë procedurave të apelit, me përfshirjen e institucioneve, partive parlamentare, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë.

Ndërkohë, ai bëri të ditur se në orën 16:30 të ditës së sotme OVL-UÇK, së bashku me disa shoqata të familjeve të dëshmorëve dhe shoqatën e invalidëve, do të prezantojë platformën e paralajmëruar.

Thirrja për protestën vjen një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë. Ndërkohë, qytetarë dhe studentë janë mbledhur tashmë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa është paralajmëruar vazhdimi i tubimeve edhe gjatë ditës së nesërme./Albinfo.ch