Lajme

Nestlé akuzohet për tërheqje “diskrete” të qumështit të kontaminuar për foshnja në disa vende evropiane

Një hetim i përbashkët i njësisë investigative të Radio France, transmetuesit zviceran RTS dhe atij belg RTBF ka zbuluar se kompania shumëkombëshe Nestlé ka kryer tërheqje të heshtura të disa produkteve të qumështit artificial për foshnja në Austri dhe Gjermani, pa një alarm të gjerë publik.

Çështja lidhet me zbulimin e cereulidit, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus, e cila mund të shkaktojë helmim të rëndë te foshnjat dhe, në raste ekstreme, mund të jetë fatale.

Sipas hetimit, Nestlé kishte identifikuar praninë e toksinës në disa produkte që në fund të nëntorit 2025, por një tërheqje globale e produkteve nuk u bë deri më 5 janar 2026.

Vonesa në njoftimin e autoriteteve

Hetuesit ngritin pyetje se pse produktet e dyshuara nuk u hoqën menjëherë nga tregu dhe pse autoritetet evropiane nuk u njoftuan në kohë.

Sipas informacioneve të siguruara nga mediat publike franceze, kompania kishte ndaluar prodhimin e formulave për foshnja në fabrikën e saj në veri të Francës më 26 dhjetor 2025, pasi u konfirmua se një vaj i përdorur në prodhim, i kontaminuar me cereulid, kishte nivele shumë të larta të toksinës.

Në atë fabrikë dhe në disa njësi të tjera prodhuese të Nestlé u bllokuan rreth 838 mijë kuti me qumësht formule për foshnja.

Megjithatë, një pjesë e produkteve kishte dalë tashmë në treg dhe ndodhej në kanalet e shpërndarjes ose në shtëpitë e konsumatorëve.

Sipas rregullave evropiane për sigurinë ushqimore, kompanitë duhet të njoftojnë menjëherë autoritetet kur dyshojnë se një produkt mund të përbëjë rrezik për shëndetin publik.

Tërheqje të heshtura në Austri

Hetimi zbulon se më 16 dhjetor 2025 autoritetet austriake urdhëruan testimin e disa serive të formulave për foshnja, përfshirë produkte të markës BEBA, në pronësi të Nestlé.

Më 24 dhjetor, analizat konfirmuan praninë e cereulidit në disa mostra, me nivele mbi kufijtë referues të përcaktuar nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA).

Megjithatë, nuk u zhvillua një fushatë publike tërheqjeje. Produktet u hoqën në heshtje nga raftet e disa rrjeteve të mëdha tregtare austriake, pa një njoftim të drejtpërdrejtë për familjet që mund t’i kishin blerë ato.

Autoritetet austriake dhe gjermane kanë konfirmuar ekzistencën e këtyre të ashtuquajturave “tërheqje të heshtura”, por argumentojnë se në atë moment nuk ishte vërtetuar një rrezik akut për shëndetin, transmeton albinfo.ch.

Komisioni Evropian: Tërheqjet e heshtura nuk kanë bazë ligjore

Komisioni Evropian deklaron se praktika e një “tërheqjeje të heshtur” nuk parashikohet nga ligji evropian.

Sipas Brukselit, publiku duhet të informohet sapo një produkt potencialisht i pasigurt mund të ketë arritur te konsumatorët.

Dyshime edhe për prodhues të tjerë

Hetimi tregon se Nestlé kishte paralajmëruar më 30 dhjetor 2025 prodhuesit e tjerë të formulave për foshnja për praninë e toksinës në një vaj të përdorur gjerësisht në këtë industri.

Vaji, i prodhuar nga kompania kineze CABIO Biotech, ishte furnizuar te prodhuesit përmes kompanisë shumëkombëshe Cargill.

Megjithatë, sipas hetimit, kompanitë e tjera në sektor, përfshirë Lactalis dhe Danone, nisën tërheqjet e para vetëm në fund të janarit, disa javë më vonë.

Në këtë kuadër janë hapur disa hetime penale në Francë, pas rasteve të vdekjes ose shtrimit në spital të disa foshnjave që kishin konsumuar formula të përfshira në tërheqje.

Nestlé mohon akuzat

Nestlé kundërshton akuzat për menaxhim jo transparent të situatës.

Kompania thotë se ka ndjekur një “procedurë të rreptë”, e cila përfshinte verifikimin e burimit të ndotjes, gjurmimin e produkteve dhe më pas njoftimin e autoriteteve.

Nestlé mohon se ka tregtuar me vetëdije qumësht të kontaminuar dhe mohon se ka kryer tërheqje të fshehta pa informuar konsumatorët.

Kompania argumenton se një tërheqje e menjëhershme pa të dhëna të plota do të mund të shkaktonte konfuzion dhe mungesë produktesh për familjet, duke qenë se formula për foshnja konsiderohet një produkt thelbësor.

Hetimet vazhdojnë

Autoritetet shëndetësore franceze kanë bërë të ditur se vazhdojnë të monitorojnë rastet e raportuara te foshnjat që kanë konsumuar formula të përfshira në tërheqje.

Çështja ka hapur një debat të gjerë në Evropë mbi mënyrën se si kompanitë ushqimore duhet të reagojnë ndaj rreziqeve të mundshme shëndetësore dhe nëse konsumatorët duhet të informohen menjëherë për çdo produkt potencialisht të rrezikshëm/albinfo.ch/